Idrizi thotë se në Vushtrri ka përkrahjen edhe nga militantë të LDK-së, Tahiri e quan “spekulim të ultë”

Idrizi thotë se në Vushtrri ka përkrahjen edhe nga militantë të LDK-së, Tahiri e quan “spekulim të ultë”

03 nëntor 2017 23:58

Kandidatët për kryetar të Vushtrrisë janë ballafaquar të premten mbrëma në “Interaktiv” të KTV-së. Ferit Idrizi i PDK-së e Xhafer Tahiri i LDK-së, para se të paraqesin programin e tyre janë përplasur rreth përkrahjes që kanë nga qytetarët në Vushtrri.

Tahiri ka akuzuar udhëheqësit e mandatit të kaluar për keqqeverisje, madje ka thënë se ka pasur drejtorë me pozita udhëheqëse që e kanë lënë vendin mbrapa.

Ai ka thënë se disa drejtorë po sponsorizojnë fushatën e Idrizit në Vushtrri, po vizitojnë të gjitha fshatrat vetëm për të marrë vota, dhe ka kërkuar që komuna të distancohet nga këto veprime.

Kundërpërgjigja e Idrizit ka qenë se ai ka përkrahjen edhe të militantëve të LDK-së.

“Nëse nuk besoni ata do të dalin edhe publikisht, ata më kanë dhënë mbështetje të fuqishme. Sa u përket të tjerëve, unë nuk mund t’u them njerëzve mos më votoni”, ka thënë ai.

“Spekulimet e tilla janë të pavlera për një debat televiziv, sepse qytetarët e Vushtrrisë presin nga ne që të ofrojmë programet.

Idrizi tutje ka thënë se do të punojnë në arsimin profesional, madje nxënësve do t’ua mundësojë drejtpërsëdrejti praktikën nëpër kompani private. Ka thënë se vetëm kështu vendi do të përparojë.

“Do të paguajmë shujtën e ushqimit për nxënësit ndërsa kompanive do t’u japim mundësi që ata t’i zgjerojnë kapacitetet e tyre”, tha Idrizi.

Ka thënë se do të shpallin konkurse të ndryshme për të rinjtë në vend, që ata të bëhen pjesë e ndërmarrjeve të mëdha.

“Do t’i përgatisim nxënësit siç e kërkon tregu i punës”, tha ai.

Për sa i përket çerdheve, ai ka thënë se do të ndërtohen edhe 2 çerdhe të reja, një në oborrin e shkollës “Mustafë Venhari” dhe tjetra te “Ali Kelmendi”.

Tahiri ka thënë se edukimi cilësor nuk bëhet me demagogji të tilla.

“Në mungesë të vizionit e programit juve ju kanë trajnuar vetëm të bëjnë zhurmë”, i ka thënë Tahiri Idrizit.

Arsimi profesional në Vushtrri nuk mund të bëhet pa plan konkret, e këtë plan e kemi vetëm ne ka thënë Tahiri. Ai përkundër Idrizit, ka thënë se do të ndërtojnë 3 çerdhe, pasi ato janë të nevojshme.

Ndërsa i ka thënë Idrizit, se buxheti i miratuar nga qeverisja e kaluar nuk parasheh ndërtimin e dy çerdheve.

“Ju sapo thatë një të pavërtetë z. Idrizi. Nuk keni paraparë buxhet për ndërtimin dy çerdheve në buxhetin 2018 – 2020 që e keni miratuar në Kuvendin Komunal”, ka thënë Tahiri.

Në shumicën e shkollave, sipas Tahirit nuk ka as Këshillë të Prindërve, e që kjo sipas tij është e nevojshme në çdo shkollë.

“Do të kemi edhe shkollë me një ndërrim”, ka thënë Tahiri duke shtuar se kjo kërkon një angazhim maksimal. “Do të instalojmë kamera brenda e jashtë, do të ketë më shumë siguri nëpër shkolla”, shtoi ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme