PDK e AAK mund të bashkohen në garën për Vushtrri

PDK e AAK mund të bashkohen në garën për Vushtrri

03 nëntor 2017 23:31

PDK dhe AAK si duket kanë arritur marrëveshje për zgjedhjet e balotazhit të 19 nëntorit në Vushtrri, ku në garë për të parinë kësaj komune janë Ferit Idrizi nga PDK dhe Xhafer Tahiri nga LDK.

Në rrjetet sociale janë shpërndarë foto ku kandidati i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe kryetari i degës së AAK-së në këtë komunë, Lutfi Bilalli kanë vizituar së bashku kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ndërsa një foto tjetër ka postuar deputetja e PDK-së nga kjo komunë, Xhevahire Izmaku, e cila ka shkruar “Ne ishim dhe do te jemi bashkë”.

I ftuar në “Interaktiv” të KTV-së, Idrizi ka thënë se në zgjedhjet e kaluara kanë fituar 11 ulëse në Kuvend, derisa për të qeverisur u duhen së paku shumica e thjeshtë, me 18 ulëse.

“Ne jemi në bisedime me të gjitha partitë që kanë garuar në zgjedhjet e kaluara. Nuk kemi vija të kuqe për asnjërën. Jemi në bisedime edhe me AAK-në, por nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë Idrizi.

Ferit Idrizi nga PDK dhe Xhafer Tahiri i LDK-së, do të kërkojnë votën e qytetarëve të Vushtrrisë më 19 nëntor.

Në zgjedhjet e 22 tetorit kandidatët e partive politike kanë marrë këto rezultate: PDK ka marrë 33,29 për qind të votave, LDK 25,64 për qind, Lëvizja Vetëvendosje 25,107 për qind, AKR me 7.98 për qind, AAK 5.20 për qind dhe Nisma 2.79 për qind.

Image

Komentet

Shto koment

Të ngjashme