Sipas Tahirit, Vushtrria s’ka nevojë për kryetar që dirigjohet nga Skenderaj

Sipas Tahirit, Vushtrria s’ka nevojë për kryetar që dirigjohet nga Skenderaj

03 nëntor 2017 10:42

Doli i dyti në raundin e parë, por në balotazh, Xhafer Tahiri i LDK-së, beson fort se do të triumfojë kundër Ferit Idrizit të PDK-së, dhe do ta udhëheq Vushtrrinë për katër vitet e ardhshme.

Në një intervistë për KosovaPress, Tahiri, ka thënë se Vushtrria do të zgjedh një kryetar që vendos vet dhe jo një kryetar të dirigjuar nga Skenderaj.

“Pushteti i vjetër i PDK-së në Vushtrri është në panik, ata kanë filluar të përhapin lajme të rreme duke bërë video montazhe të ndryshme, por qytetarët e Vushtrrisë kanë vendosur t’i thonë jo më kësaj keqqeverisje. Vushtrria do të zgjedh një kryetar që vendos vet dhe jo një kryetar të dirigjuar nga Skenderaj”, tha Tahiri.

Në zgjedhjet e 22 tetorit kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, mori afër 8 mijë vota. E për këtë rezultat ai beson votuesit e kanë vlerësuar fushatën ndryshe dhe programin ndryshe që u ka ofruar qytetarëve.

Tahiri ka thënë se kanë garuar me një program që synon ta kthej komunën tek qytetari dhe se kanë një ekip të ri të njerëzve që do të qeverisin me duar të pastra dhe në interes të qytetarëve.

“Dallimi në vota është më i vogli që ka ekzistuar ndonjëherë në balotazh në Vushtrri. Qytetarët e Vushtrrisë në masën 70 përqind janë deklaruar për ndryshim në Vushtrri dhe ky ndryshim përfaqësohet tani nga unë, si një prej kandidatëve që kemi përfaqësuar ndryshimin në Vushtrri. Ne kemi ofruar bashkëpunim të gjitha subjekteve që kanë ofruar platformën e ndryshimit në Vushtrri dhe të gjithë qytetarët e Vushtrrisë në fakt që e duan ndryshimin në Vushtrri. Ky ndryshim do të ndodh me 19 nëntor dhe ne do t’i ofrojmë komunës së Vushtrrisë një qeverisje me njerëz të rinj, me duar të pastra që do të qeverisin në interes të qytetarëve të Vushtrrisë”, theksoi Tahiri.

E për balotazhin që do të mbahet me 19 nëntor, Tahiri bëri të ditur se ka filluar bisedimet me partitë tjera për të bashkëpunuar për balotazh.

Kandidati i LDK-së thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë me gjithsecilin, pasi sipas tij ndryshimi në Vushtrri është i domosdoshëm.

“Ne kemi kontaktuar të gjitha partitë tjera në Vushtrri përveç PDK-së natyrisht, kemi kontaktuar edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, me AKR-në për të ndërtuar platformën për të përafruar programet dhe njerëzit për ndryshim në Vushtrri. Jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me gjithsecilin, unë do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë pa dallime parti politike, do t’iu shërbej njësoj të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë pa dallime. Dhe pres që të gjithë ata që kanë ofruar platformën e ndryshimit në Vushtrri të na bashkohen në këtë rrugëtim final për ndryshim përfundimtarë në Vushtrri. Ne po presim përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu me AKR-në jemi duke biseduar intensivisht për të ndërtuar platformën për ndryshim. Po ashtu, kemi biseduar edhe me partitë e tjera më të vogla si Partia e Drejtësisë dhe Partia Turke këtu në Vushtrri”, ka thënë ai.

Tahiri, premton që do të ofrojë qeverisje të hapur, transparente dhe pa krim e korrupsion, ndërsa , premton zhvillim ekonomik dhe përkrahje më të madhe për bujqësinë.

“Qeverisje e hapur, transparente, pa krim e pa korrupsion, pa punësime familjare, zhvillim ekonomik dhe përkrahje e bujqësisë më e madhe. Ne do ta bëjmë 1 milion euro përkrahjen për bujqësi dhe do ta bëjmë buxhetin për përkrahje të sportit 100 mijë euro në vit të paktën që në vitin e parë të qeverisjes tonë. Depolitizim i plotë i arsimit, do të i japim shanc të barabartë të gjithë njerëzve të kualifikuar që të jenë pjesë e arsimit dhe do të kemi një program të veçantë me qendrën inovative të Vushtrrisë. Por, edhe me një përkrahje për arsimin profesional do të kemi 300 të rinj që do të punësohen çdo vit në punë praktike do të paguhen nga komuna për të kryer punë praktike në biznese të Vushtrrisë dhe në institucione publike të komunës sonë”, ka thënë Tahiri.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në zgjedhjet e 22 tetorit ka marrë 7 mijë e 842 vota apo 25,64 për qind.

Komentet

I Mitrovicsi 03/11/2017 13:39

Nuk i kuptoj këta të LDK-së; vite me rradhë fitonin vota vetëm me pankarte e foto të ndryshme të I. Rugovës, e viteve të fundit, posaqërisht gjatë zgjedhjeve të Qershorit dhe këto të tanishmet, dojnë të fitojnë me demonizimin e Sami Lushtakut kinse na qenka ai një lloj Escobari. Jo që nuk është ai dikushi por ....përveq që i keni antarsuar Abdixhikun, Havollin e Selmanajn, a keni diqka KONKRETE oj LDK ??? Njëjtë edhe ky „kryetari“ jonë momental në Mitrovicë . Premtoi shumë bile edhe nxemje qëndrore për tërë qytetin me djegjen e bërthamave të kumbullave e tash thotë „““ Smka lon Sami Lushtaku“““

Shto koment

Të ngjashme