Bashota thotë se nuk i frikësohet bashkimit të të gjithëve kundër tij në Klinë

Bashota thotë se nuk i frikësohet bashkimit të të gjithëve kundër tij në Klinë

02 nëntor 2017 21:15

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe ai i degës së Klinës, Sokol Bashota, sonte kanë zhvilluar një takim mobilizues më anëtarë të Këshillit Drejtues të degës, Gruan Demokratike, Rininë, kryesinë, kryetarët e nëndegëve dhe kandidatët për Kuvend të Komunës për zgjedhjet e balotazhit që do të mbahen me 19 nëntor.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Klinës, Sokol Bashota, ka thënë se nuk i frikësohet bashkimit eventual të bllokut opozitar dhe beson në mbështetjen e qytetarëve të cilët tashmë janë përcaktuar të mbështesin fuqishëm vizionin e PDK-së në Klinë.

Bashota ka falënderuar gjitha strukturat e PDK-së për zgjedhjet e 22 tetorit ku PDK-ja për herë të parë pas luftës ka shënuar rritje të dukshme duke marrë rreth 6000 vota dhe ka fituar 10 ulëse në Kuvend të Komunës.

“Nuk i frikësohemi aspak bllokut opozitar të cilët po mundohen të ndajnë tortën për të ëmbëlsuar vetëm gojën e tyre por jo edhe të qytetareve”, ka thënë Bashota. Ai i ftoi strukturat ta ruajnë frymën e angazhimit për të fituar për herë të katërt në Klinë. “Ne kemi bërë koalicion me qytetarin dhe nuk i frikësohemi aspak bashkimit të të tjerëve. Ne kemi bëre ndryshime të mëdha në interes të qytetarëve. Jam i bindur se PDK-ja do ta ruaj trendin e fitores që nga viti 2007”, ka thënë Bashota.

Kurse Kadri Veseli, ka thënë se qytetarët dinë shumë më mirë të vlerësojnë se sa disa që po mundohen të njollosin e mohojnë të arriturat e PDK-së.

“Kjo dëshmohet edhe me fitoren e PDK-së në Klinë. Jemi në balotazh në 10 komuna dhe që të gjitha do t’i fitojmë. Derisa të tjerët bëjnë pazare për ndarje të pushtetit, ne do të punojmë për qytetarët”, ka thënë Veseli në Klinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme