Zgjedhjet lokale

Gashi i bindur se do të rifitojë Obiliqin

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Obiliqit thotë se nuk sheh aspak rrezik në raundin e dytë, i cili do të mbahet më 19 nëntor, për të marrë edhe një mandat drejtimin e komunës të cilën e udhëheq tash e katër vjet.

Ai në balotazh do të përballet me Mehmet Krasniqin e LDK-së për të cilin thotë se nuk i frikësohet aspak.

Xhafer Gashi thotë se është vullneti i qytetarëve të Obiliqit është ai që e përcakton fituesin.

“Unë nuk shoh ndonjë rrezik sepse vullneti i qytetarëve është ai që duhet të përcaktojë fituesin dhe besoj që në këtë drejtim ne kemi punuar shumë sepse të gjitha projektet janë bashkë koordinuar me qytetarët dhe pikërisht kjo është ajo ngritja, dhe ne nuk i frikësohemi aspak, po na vjen keq prej qytetarëve se ndoshta për një numër shumë të vogël jemi detyruar të shkojmë në balotazh”, tha Gashi në një intervistë për KosovaPress.

Gashi tha se qytetarët e Obiliqit kanë vlerësuar punën e komunës në mënyrë të drejtpërdrejtë me qytetarët nëpër terren, duke filluar nga infrastruktura rrugore, pastaj projektet madhore, urat, Shtëpia e Kulturës, Qendra e Regjistrimit, renovimi i shkollave, Shtëpisë së Shëndetit, krijimi i mundësive për të rinj, palestra sportive etj.

“Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur me një rezultat të tillë sepse puna jonë e ka bërë që të rritet vota për aq sa është rrit, për dallim nga zgjedhjet e kaluara. Tek qytetarët kanë ndikuar drejtpërdrejt punët që ne kemi ekzekutuar nëpër terren, duke filluar nga infrastruktura rrugore, pastaj projektet madhore, urat, shtëpia e kulturës, qendra e regjistrimit, renovimi i shkollave, shtëpisë së shëndetit, krijimi i mundësive për te rinj, palestra sportive, pastaj për të moshuarit një qendër rekreative ku e kalojnë kohën e lirë ata dhe shumë e shumë aktivitetet të tjera që i kemi bërë në bashkë me qytetarët, kjo ka ndikuar që të ndryshojë rezultati”, thotë Gashi.

Sipas tij ajo çfarë e dallon nga kundërkandidati i tij është puna e bërë për komunën e Obiliqit, dhe se gjatë mandatit të tij të kaluar kanë arritur ta kthejnë Obiliqin nga një komunë me performancë mjaft të dobët, në një prej komunave më të suksesshme në realizimin e projekteve dhe pa asnjë aferë korruptive.

Gashi ka përjashtuar mundësinë për të bërë koalicion më ndonjë subjekt tjetër politik dhe se këtë rrugëtim thotë se do ta vazhdojnë vetëm ashtu siç e kanë nisur.

“Ne do të shkojmë të vetëm sepse deri më tani kemi rrugëtuar kështu, ne i falënderojmë të gjithë ata që na kanë përkrahur, në këtë rast edhe Lëvizjen për Bashkim, pastaj organizatat joqeveritare që na kanë përkrahur e shumë njerëz”, tha Gashi.

Duke marr parasysh që edhe Gashi edhe Krasniqi kanë pasur nga një mandat, në krye të komunës, Gashi thotë se subjektet e tjera politike do të kenë mundësi të përzgjedhin punën e tij dhe të kundërkandidatit Krasniqi, dhe të votojnë duke e vlerësuar punën e tyre.

“Unë besoj që edhe ata do të vlerësojnë drejt edhe në këtë rast sepse edhe unë edhe zoti Krasniqi kemi pas mundësi të qeverisim nga një mandat dhe ata e kanë mundësinë me përzgjedh edhe punën time edhe punën e zotëri Krasniqit”, tha Gashi

Ndryshe kandidati i AAK, Xhafer Gashi ka rreth 3000 vota me shumë se kundër kandidati i tij nga radhët e LDK-së Mehmet Krasniqi.

Ai në raundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 22 tetor ka arritur të marrë 5837 vota ose 48.82 për qind ndërsa Krasniqi i LDK-së ka marrë 3224 vota ose 27.13 për qind.