Zgjedhjet lokale

LDK-ja nis bisedimet me AAK-në për balotazh në Kamenicë

Kamenicë, 2 nëntor- Lëvizja Vetëvendosje e cila ka dalë subjekti më i votuar në zgjedhjet lokale në Kamenicë në raundin e parë, dhe LDK-ja, e cila ka dalë si subjekti i dytë më i votuar, tashti po kalkulojnë për të hyrë në raundin e dytë të zgjedhjeve me qëllim që ta qeverisin Komunën me 36 mijë banorë.

Shaip Surdulli, kandidat për kryetar të Kamenicës nga radhët e LDK-së i cili sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ka marrë 5 mijë e 3 vota deklaron se do t’i ofrojë marrëveshje bashkëpunimi vetëm AAK-së me qëllim që ta marrë mbështetjen për balotazh, duke përjashtuar nga bashkëpunimi PDK-në dhe AKR-në.

Ai thotë se nuk mund të bëjë të ditur marrëveshjen e bashkëpunimit që i ka ofruar AAK-së e cila ka të bëjë me ndarjen e pushtetit pas zgjedhjeve komunale të cilat pretendojnë se do t’i fitojnë.

“Kemi nisur bisedimet me AAK-në dhe po presim që të finalizojnë një ofertë tonën që e kemi dhënë kurse me asnjë subjekt tjetër politik nuk kemi marrëveshje, mirëpo mirëpresim mbështetjen e qytetarëve dhe subjekteve të tjera por pa marrëveshje. Vetëm me AAK-në e kemi ndërmend të bëjmë marrëveshje. Sa i përket ofertës nuk mund të japim detaje, sepse AAK-ja do të shqyrtojë në forumet e veta dhe nuk kisha dashur të shprehesha publikisht . Kur të bëhet marrëveshja atëherë ne do ta publikojmë”, ka thënë Surdulli.

Ndërsa Faton Jakupi, i cili ishte kandidat për kryetar të Kamenicës dhe kishte marrë 2 mijë e 520 vota deklaron se do të shqyrtojnë edhe ofertat e LDK-së, por edhe të LVV-së, e cila kishte publikuar një propozim për marrëveshje, duke i ofruar AAK-së që të udhëhiqte 30 për qind të drejtorive komunale dhe të kishte pozitën e nënkryetarit të Komunës. “Do të zhvillojmë takime me Këshillin drejtues të Aleancës i shqyrtojmë ofertat edhe mandej shohim se çfarë do të bëjmë. Këto janë oferta dhe po të njëjtën ofertë gati pothuajse e kemi marrë edhe prej LDK-së me shkrim dhe të shohim se çfarë do të vendosim”, ka thënë ai.

E Kujtim Gashi, i cili ishte kandidat për kryetar të Kamenicës dhe kishte fituar 2 mijë e 657 vota deklaron se ende nuk kanë ndonjë ofertë me shkrim për lidhje koalicioni parazgjedhor qoftë nga LVV-ja, qoftë nga LDK-ja. “Kemi pasur një takim me kryetarin e Degës së PDK-së, i cili ka deklaruar se LDK-ja na ka ftuar për një marrëveshje, mirëpo unë nuk kam parë ndonjë ofertë me shkrim dhe vetë LDK-ja ka deklaruar se nuk kanë bërë ndonjë ofertë. Për ne si parti deri tashti nuk kemi asnjë lloj oferte me shkrim edhe në fakt nuk kemi qëndrim definitiv, nëse do të jemi pjesë e koalicionit”, ka theksuar Gashi.

Ndërsa Qëndron Kastrati , kandidat për kryetarë Kamenicës deklaron se kanë publikuar në internet marrëveshjen e bashkëpunimit të cilën ia kanë ofruar AAK-së dhe AKR-së si shenjë e transparencës për votuesit. Thotë se pret mbështetjen vetëm nga qytetarët, ngase partitë e tjera janë duke kalkuluar interesat e tyre. “Po ne kemi bërë transparente propozimmarrëveshjen me AAK-në dhe AKR-në me qëllim që të jemi transparentë me qytetarët dhe ne nuk jemi si partia tjetër e cila ofron marrëveshje nën tavolinë. Pres mbështetjen e qytetarëve, ndërsa jemi ta gatshëm që të bashkëpunojmë edhe me partitë e tjera pos PDK-së , e cila edhe është deklaruar se mbështet LDK-në”, ka thënë ai.

Ndërsa Fatmir Matoshi, kryetar i Degës së AKR-së në Kamenicë ka dhënë qëndrimin e tij në rrjetin social “Facebook” , ku ka kërkuar nga LVV-ja që të ndryshohen disa pika që kanë të bëjnë me bashkëpunimin midis tyre. Ndryshe “Vetëvendosje” i kishte ofruar AKR-së që të nënshkruante marrëveshjen dhe të udhëhiqte 10 për qind të drejtorive komunale si edhe ofertën për pozitën e kryesuesit të KK të Kamenicës (më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.