Kush me kë në koalicion në balotazhin e Kaçanikut

31 tetor 2017 20:05

PDK-ja, e cila që nga paslufta ka qeverisur në Komunën e Kaçanikut, sivjet nuk ka arritur të fitojë në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, raporton KTV.

Kryetari aktual, Besim Ilazi, që i hyri kësaj gare edhe për një mandat, për herë të parë do të sfidohet në balotazh nga kandidati i Vetëvendosjes, Basri Kodra.

Ilazi thotë se në këto zgjedhje e dëmtuan ikjet e bashkëpunëtorëve të tij nga partia, e të cilët i pati për kundër-kandidatë nga AAK-ja dhe Nisma.

Megjithatë, Ilazi mund të ketë bashkëpunim sërish me ta, por thekson se vendimi për çdo koalicion të mundshëm, do të merret në Kryesinë e degës.

Vetëvendosje, në anën tjetër, ka nisur takimet me LDK-në dhe AAK-në.

Kandidati Basri Kodra thotë se mund të ketë një koalicion parazgjedhor.

Por, LDK-ja, megjithatë, po pret një ofertë serioze nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në këtë komunë mori 15.4% të votave pohojnë se janë të hapur për koalicion me ndonjërën nga subjektet politike, ndërsa thonë se nuk kanë pranuar ende asnjë ofertë. Përderisa AAK-ja është e hapur për koalicion me PDK-në, LDK-ja ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me këtë subjekt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme