Aliu i sigurt në rikonfirmimin e fitores së tij më 19 nëntor

Aliu i sigurt në rikonfirmimin e fitores së tij më 19 nëntor

29 tetor 2017 13:44

Fitorja në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, ka bërë që Agim Aliu të ketë besim se qytetarët e Ferizajt do ta rikonfirmojnë këtë besim edhe më 19 nëntor, në raundin e dytë, përball Muharrem Sfarqës së LDK-së.

Kandidati i PDK-së, për kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, thotë se më 22 tetor qytetarët i thanë po ndryshimit me të si lider i ndryshimit. Votën e qytetarëve për të, ai e quan votë për kthimin e barazisë, dinjitetit, por mbi të gjitha të prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik te qytetarët.

Aliu, i cili doli i pari në raundin e parë, në një intervistë për KosovaPress, thotë se për garën e balotazhit ka nisur diskutimet me partitë tjerë për të bashkëpunuar, në mënyrë që qeverisja e ardhshme e Ferizajt me të në krye, ta ketë shumicën edhe në asamblenë komunale, që të mund ta zbatoj programin e tij që e ka shpalosur para qytetarëve ferizajas.

“Ne gjatë kësaj kohe jemi duke bashkëpunuar dhe jemi duke shikuar mundësinë se si të bëhet kjo konkrete në mënyrë që pas 19 nëntorit na duhen numrat edhe në Kuvend dhe që Kuvendi të marrë vendime që janë në harmoni me vizionin dhe programin tim, duhet të ketë shumicë votash aty dhe sigurisht që ne do të bëjmë bashkëpunime me subjektet tjera, pikërisht për të siguruar këtë shumicë të votave dhe Kuvendi të ketë funksionalitetin për të marrë vendime që janë të rëndësishme për qytetarët, por mbi të gjitha për të marrë vendime për platformën e shpalosur gjatë këtyre javëve”, theksoi ai.

Megjithatë, ai nuk jep detaje se me cilën parti janë me afër bashkëpunimit, meqë diskutimet janë në fazën iniciale. Por, Aliu, ka siguruar qytetarët e Ferizajt, se nuk do të negociojë asgjë sa i përket qeverisjes së tij, pasi nuk dëshiron që platforma e tij dhe vizioni i tij i prezantuar para qytetarëve të mbetet peng i pazareve politike.

Aliu thekson se rezultati i 22 tetorit tregoi se mbi 70 për qind e qytetarëve u deklaruan për ndryshim, duke pëlqyer programin e tij me së shumti. Prandaj, Aliu, i cili mori mbi 19 mijë vota, thotë se kjo votë pret të rikonfirmohet me 19 nëntor, në garën e balotazhit.

“Ne presim, pasi kemi një diferencë prej 8 mijë vota, me përqindje mbi 8 për qind, por ajo që besojmë me së shumti është te komunikimi që kemi pasur gjatë kësaj jave të pas zgjedhjeve që e shohim pikërisht atë që është manifestuar ditën e 22 tetorit, ku shumica e qytetarëve kanë vendosur që të ndryshoj qeverisja dhe këta qytetarë tashmë gjithnjë e më shumë janë afër nesh dhe i kemi mbështetës që të tregon se ata tashmë e kanë marrë orientimin, e kanë dhënë drejtimin e tyre për votën e 19 nëntorit dhe vota e tyre do të jetë që lideri i ndryshimit të jetë nesër kryetar i Ferizajt”, tha Aliu.

Kandidati i PDK-së, këtë besim e bazon në qeverisjen e tij në vitin 2012-2013, duke thënë se qytetarët e Ferizajt, e njohin punën e tij. Madje, sipas tij, qeverisja e tij me nderë, përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënëse, e dallon atë nga kundërkandidati i tij.

“Dallime është dëshmia e qeverisjes, një qeverisje transparente që ka treguar që mund të jesh në pushtet dhe mund të mbetesh i pakorruptuar. Unë kam qeverisur në këtë mënyrë, me moral, me nderë, por mbi të gjitha duke shërbyer gjithë qytetarëve. Dhe pikërisht edhe vota e 22 tetorit tregon dallueshmërinë pikërisht në këtë pikë, sepse unë tashmë jam i votuar me shumë se sa subjekti im politik për afro 6 mijë vota që janë vota të qytetarëve të komunës së Ferizajt dhe sigurisht që kjo me obligon edhe me shumë që të jem i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm ndaj votës së qytetarëve dhe t’iu shërbej siç ju kam shërbyer edhe në të kaluarën gjithë qytetarëve. Dallimi tjetër është se oferta ime është konkrete, përderisa të tjerët janë marrë me të kaluarën pa ofruar diçka konkrete për atë se çfarë presin qytetarët”, shtoi Aliu.

Aliu e sheh përparësi qenia e partisë së tij në qeverinë qendrore, pasi thotë se do t’i zbatoj projektet e tij. Pretendenti për kreun e Ferizajt, përmend tri prioritetet kyçe, porse jo të vetmet që do t’i implementoj në mandatin katër vjeçar.

“Zhvillimi ekonomik, krijimi i fondit të punësimit përmes zhvillimit ekonomik dhe përmes gjashtë pikave programore që unë i kam shpalosur të cilat do të bëjnë pikërisht mbështetjen e bizneseve të komunës së Ferizajt për t’i fuqizuar edhe me shumë që ato përmes të hyrave të krijoj fondin e punësimit...pastaj angazhimi është në fushën e dytë, atë të arsimit ku unë do të angazhohem që të ketë profile të reja arsimore, do t’i nxis shkollat profesionale, sepse gjatë takimit të komunikimit me komunitetin e biznesit ata kanë kërkuar hapjen e drejtimeve të reja si mundësi të reja për punësim...Ndërsa në kuadër të projekteve infrastrukturore unë e kam veçuar projektin që simbolikisht e kam quajtur bashkimi i qytetit dhe i cili ka tri projekte të fazës së parë që do ta bashkojnë qytetin simbolikisht. Është një mbikalim, nënkalim dhe do të jetë një nënkalim për vetura apo një formë e tunelit i cili do të jetë në gjatësi prej 700 metrash do të krijoj mundësi jo vetëm për siguri me të madhe por edhe për qarkullim të automjeteve”, u shpreh Aliu.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Ferizajt, në balotazh do ta ketë kundër kandidat kryetarin aktual të këtij qyteti, Muharrem Sfarqa nga LDK-ja, i cili doli i dyti me 22 tetor.

Gara për balotazh në 19 komuna të cilat shkuan në balotazh do të zhvillohet më 19 nëntor.

Komentet

Vakti30/10/2017 10:03

Qytetarët e Ferizajit e kanë shansin që përherë të parë edhe në nivel të Kosovës të votojnë për individin e jo për parti. E individi ashtë Agim Aliu. Vetë epërsia në vota që në rundin e parë për këtë njeri, qytetarët kanë tregue një emancipim kësaj radhe duke mos votue për parti, por për Agim Aliun si njeri. Pra vetem me këtë logjikë të të votuarit do të shkoi përpara Shteti i Kosovës.

Shto koment

Të ngjashme