Ismajli i bindur për mandatin e katërt në Shtime, Rashiti e quan të “plakur politikisht”

Ismajli i bindur për mandatin e katërt në Shtime, Rashiti e quan të “plakur politikisht”

26 tetor 2017 23:49

Dy garuesit në balotazh për kryetar të Shtimes, Naim Ismajli nga PDK-ja dhe Fatmir Rashiti kandidat i pavarur, janë shprehur të bindur për fitore në zgjedhjet e 19 nëntorit.

Ismajli, i cili udhëhoqi në raundin e parë me 38 për qind të votave, ka deklaruar në Interaktiv se do të fitojë mandatin e katërt sepse “qytetarët e vlerësojnë qeverisjen e mirë në Shtime”.

Në anën tjetër, Rashiti, i cili ka qenë në strukturë të PDK-së deri para zgjedhjeve, ka thënë se kundërkandidati i tij “është plakur politikisht”.

Sa i përket koalicioneve të mundshme me partitë tjera për këtë garë, Rashiti është shprehur i bindur se do të bëjë marrëveshje me LDK-në dhe VV-në përpos që ka përkrahjen e AAK-së, Nismës, AKR-së dhe LB-së. Ndërsa, Ismajli është deklaruar se do të garojë vetëm me koalicion me qytetarin dhe shpalosjen e programit.

Ismajli po ashtu ka thënë se ka pritur rënie të PDK-së, pasi që largimi i Rashitit dhe disa të tjerëve nga kjo parti ka shkaktuar largim të një pjese të strukturës së partisë në Shtime.

“E kemi ditur se do të ketë rënie, për shkak të largimit të kundërkandidatit dhe disa personave tjerë që kishin ambicie personale dhe ju pengonte reformimi me të rinj në parti. Megjithatë, rezultati është vlerësim i qytetarëve për qeverisjen e mirë”, ka thënë ai.

Rashiti ka mohuar deklaratat e Ismajlit duke thënë se nuk ka pasur kurrfarë ambicie personale, madje duke shtuar se “ka kërkuar reforma të thella në PDK”.

Kandidati i pavarur e ka akuzuar ish-partinë e tij për shantazhim të votuesve dhe blerja të votave, ndërsa kjo është mohuar nga Ismajli i cili e ka ftuar Rashitin të ngre padi.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, Ismajli mori 4942 vota ose 38.65 për qind të votave, e Rashiti 3446 ose 26.95 për qind të votave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme