Haxhiu: Qytetarët as që e dinë se Arban Abrashi ka qenë ministër – në mandatin e tij vdiqën 9 punëtorë Foto: Koha / ilustrim

Haxhiu: Qytetarët as që e dinë se Arban Abrashi ka qenë ministër – në mandatin e tij vdiqën 9 punëtorë

25 tetor 2017 12:20

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka lavdëruar rezultatin e zgjedhjeve lokale të së dielës të arritur nga partia të cilës i takon ajo.

Sipas Haxhiut, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, por edhe më parë, "kudo nëpër komunat tjera, qytetarët përballeshin me probleme të njëjta e të ngjashme", kjo pasi, sipas saj, Komunat e tyre udhëhiqeshin nga njerëz që premtimet në fushata zgjedhore i harrojnë sapo të marrin votën e qytetarëve.

“Këta pushtetarë shfrytëzojnë pushtetin për pasurimin e tyre, pasurojnë miqtë e familjarët me tenderë, kurse qytetarët ballafaqohen me mungesën e ujit të pijshëm, mungesën e çerdheve, nepotizëm e shumë probleme të tjera”, ka thënë mes tjerash deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, raporton Koha.net.

Sipas saj, Vetëvendosje e ka dëshmuar që është ndryshe, e këtë e ka dëshmuar edhe në qeverisje.

“Qeverisja në Prishtinë është shembull për gjitha komunat”, potencoi ajo.

Pasi lavdëroi punën e kryetarit aktual të Prishtinës, njëherësh kandidat edhe për një mandat në këtë post, Shpend Ahmeti, tha se modeli i qeverisjes së tij dhe modeli i vet kryetarit Shpend Ahmeti është shprehur si nevojë që “të shpërndahet edhe në komunat tjera”.

Ndërkaq, ajo pati akuza për ish-qeverisjen e Prishtinës, LDK-në, dhe për kandidatin e kësaj partie, Arban Abrashi.

Haxhiu tha se Abrashi, si ministër i Punës i qeverisë së kaluar, mbahet mend “se vetëm për një vit gjatë mandatit të tij kanë vdekur 9 punëtorë në vendin e punës dhe se nuk ka bërë asgjë në zbatim të Ligjit që njeh statusin e grave të dhunuara gjatë luftës”.

“Kur pyeten zyrtarët e LDK-së për Arban Abrashin se pse duhet votuar, përgjigja është se ka përvojë në ekzekutiv, pasi që ka qenë ministër. Në fakt, Arban Abrashi ka qenë ministër, por shumë qytetarë as që e dinë që ka qenë ndonjëherë i tillë saqë shpesh edhe emrin ia ngatërrojnë. Ndërsa, atyre që iu kujtohet në këtë rol, mbahet mend se vetëm për një vit gjatë mandatit të tij kanë vdekur 9 punëtorë në vendin e punës dhe se nuk ka bërë asgjë në zbatim të Ligjit që njeh statusin e grave të dhunuara gjatë luftës. Të dy këto janë përgjegjësi direkte të këtij ish-ministri, e realisht edhe dështime të tij”, ka thënë Haxhiu.

“Sot, për fat të keq e pa fije turpi, ata që e kanë shkatërruar Prishtinën për 13 vite rresht, flasin për qeverisje te mirë. Madje tentojnë të fshijnë memorien e qytetarëve të kryeqytetit, duke thënë që ‘lehtë përmbyset rezultati’, thua se lehtë do të mund të manipulojnë qytetarët që hoqën të zitë e ullirit gjatë qeverisjes së tyre”, ka thënë më tej ajo.

Sipas Haxhiut, Shpend Ahmeti nga qytetarët e Prishtinës mori mbështetje të madhe dhe është njeriu më i votuar në këto zgjedhjet lokale.

“Qeverisja e tij u vlerësua nga organizata vendore e ndërkombëtare. Vetëvendosje u dyfishua në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2013. Nga ky proces rezulton të kemi numër dyfish më të madh të asamblistëve, e besoj fuqishëm edhe 5 kryetarë komunash më shumë. Këto zgjedhje do të mundësojnë që në secilin Kuvend Komunal përfaqësimi dinjitoz i qytetarëve të rritet duke u fuqizuar zëri ynë. Këto zgjedhje janë mundësi që përveç se në Prishtinë me Shpend Ahmetin, modelin e qeverisjes sonë të mirë ta bartim edhe në Prizren me profesorin Mytaher Haskuka, në Gjilan me Sami Kurteshin, në Dardanë me Qëndron Kastratin, në Besianë me Ajet Poterën e në Kaçanik me Basri Kodrën”, deklaroi deputetja Haxhiu.

Në fund, ajo tha se Vetëvendosje do të punojë pa u ndalur “për të vazhduar ndryshimet në Komunën e Prishtinës, e për fat të mirë, tani jemi parti e parë edhe në Kuvendin Komunal”.

“Ata që mbahen mend për keqqeverisje në mandatin e tyre dhe për sabotime e bllokime gjatë mandatit tonë, kurse na flasin për drejtësi e zhvillim , do të përballen me vullnetin e qytetarëve me 19 nëntor. Pas kësaj date, Prishtina vazhdon të bëhet, duke u realizuar 100 zotimet tona. Prandaj, Prishtina ka nevojë për Shpendin”, përfundoi deputetja e partisë Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme