DnV: OSBE lejoi identifikimin e votuesve me dokumente të Serbisë

DnV: OSBE lejoi identifikimin e votuesve me dokumente të Serbisë

24 tetor 2017 15:21

Demokracia në Veprim (DnV) vlerëson se zgjedhjet lokale të 22 tetor 2017 kanë përmbushur si standardet ndërkombëtare ashtu edhe ato vendore në organizimin e zgjedhjeve.

Si një prej parregullsive që është vërejtur nga DnV, është se misioni i OSBE-së në Kosovë, ndonëse ka asistuar KQZ-në në organizimin e zgjedhjeve në 4 komunat veriore të vendit, ka “lejuar identifikimin e votuesve me dokumente të shtetit të Serbisë”.

Procesi, megjithatë, sipas DnV-së, është zhvilluar i qetë dhe qytetarët kanë qenë të lirë dhe të sigurt që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Përjashtim bëjnë komunat me shumicë serbe ku ndaj votuesve të komunitetit të njëjtë është ushtruar presion për të votuar. Një pjesë e këtij presioni ka ardhur nga votuesit të cilët në mënyrë të organizuar kanë ardhur nga Serbia për të votuar në këto komuna. Janë shënuar edhe një numër i parregullsive të cilat në përgjithësi nuk e kanë dëmtuar mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor”, thuhet në raportin mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale nga DnV.

Problem më serioz që ka shoqëruar procesin zgjedhor, sipas DnV-së, ka qenë mospërputhja e fletëvotimeve për kryetar të komunave me ato për kuvendet komunale, që është verifikuar përmes dengjeve të fletëvotimeve. Këto raste më së shumti kanë qenë të shprehura në komunën e Mitrovicës.

DnV thotë se problem tjetër që është shfaqur në ditën e zgjedhjeve ka qenë në komunën e Deçanit, ku vulat e shpërndara në vendvotime për vulosje të fletëvotimeve janë tërhequr pasi ishin shpërndarë gabimisht.

“Kjo ka çuar në ndërprerjen e përkohshme të procesit të votimit. Që të dy këto natyra të parregullsive nuk kanë qenë të shprehura në proceset e kaluara zgjedhore prandaj kërkojnë sqarim zyrtar nga ana e KQZ-së”, thotë DnV në raportin e saj.

Demokracia në Veprim thotë se parregullsitë të cilat janë evidentuar në ditën e zgjedhjeve në tërë territorin e Republikës së Kosovës kanë qenë: i) prania e materialit propagandues në afërsi të qendrave të votimit; ii) mungesa e materialit zgjedhor; iii) prania e personave të paautorizuar; iv) fotografim i votës; v) votimi familjar; vi) asistim i votuesve më shumë se një herë; vii) votim jashtë kabinës së votimit. Problemet me lisat e votuesve mbetet evidente.

“Vëzhguesit tanë kanë raportuar për një numër të rasteve kur qytetarët kanë hasur në vështirësi për të gjetur emrin e tyre në listat e votuesve, si dhe kanë gjetur familjarët e tyre të vdekur në listë. Kjo dëmton besimin e publikut në saktësinë e listë së votuesve”, thotë më tej DnV në raport.

DnV vlerëson punën e shumë prej anëtarëve të këshillave të vendvotimeve (KVV) për ndërmarrjen e masave të menjëhershme në adresimin e problemeve që kanë shoqëruar procesin e votimit dhe numërimit. Megjithëse trajnimet më cilësore janë tejet të nevojshme, pasi një pjesë e anëtarëve të KVV-ve nuk i njohin mirë procedurat e votimit dhe veçanërisht plotësimit të formularëve dhe paketimit të materialeve.

DnV vlerëson se KQZ ka filluar më vonesë informimin dhe edukimin e qytetarëve rreth procesit dhe mënyrës së votimit, pra vetëm pak ditë para zgjedhjeve, përkundër që zgjedhjet lokale 2017 janë organizuar në afat të rregullt kohor.

Deklaratën preliminare për zgjedhjet lokale 2017 mund ta shkarkoni këtu.

https://kdi-kosova.us10.list-manage.com/track/click?u=c3358394fc73416c91ba43642&id=de8a829ac8&e=cf85126b1b

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme