Zgjedhjet lokale

KQZ: Së shpejti do të fillojë numërimi i votave me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë nga nesër me përgatitjet intensive për organizimin e këtij raundi të dytë të zgjedhjeve.

Kështu ka thënë kreu i KQZ-së, Valdete Daka, në një konferencë për media në të cilën vlerësoi pozitivisht rrjedhën e rundit të parë të zgjedhjeve komunale, të cilat u mbajtën të dielën e kaluar.

Kryetarja e KQZ-së tha se Kosova ka dëshmuar se di të mbajë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, ndërsa për këtë ka falënderuar qytetarët, komisionarët, partitë politike dhe kandidatët e tyre që i kontribuuan mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

“Tani e tutje puna e KQZ-së orientohet në shpalljen sa më të shpejtë të rezultateve përfundimtare. Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është pranuar materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat dhe së shpejti do të fillojmë me numërimin e votave me kusht, me postë dhe votave të personave me nevoja të veçanta, për të proceduar tutje me shpalljen e këtyre rezultateve”, tha Daka.

Prioritet për KQZ-në është fillimisht shpallja në kohë e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, dhe se KQZ do të fillojë së shpejti me publikimin e të gjitha kopjeve të skanimit të formularëve të rezultateve për kandidatët dhe formularëve të rezultateve përfundimtare.

“Të gjithë kandidatët, qofshin në garë për kryetar komune apo për kuvende komunale do të mund të shohin rezultatet e tyre për secilin vendvotim duke shfletuar në mënyrë elektronike kopjet e këtyre formularëve që kanë ardhur nga vendvotimet”, tha Daka, raporton KP.

Ajo është shprehur optimiste se edhe në garën e balotazhit më 19 nëntor, do të ketë një mbarëvajtje të mirë të zgjedhjeve.