Zgjedhjet lokale

Arbana Xharra uron Vlora Dumoshin për suksesin e saj në Prishtinë

Anëtarja e PDK-së, Arbana Xharra, ka uruar kandidaten për asamblenë e Prishtinës nga radhët e LDK-së, Vlora Dumoshin, për suksesin e saj në zgjedhjet lokale të së dielës.

Ish-gazetarja Xharra ka thënë se Dumoshi ka dalë gruaja më e votuar në Prishtinë dhe kjo, sipas saj, nuk është aspak e rastësishme.

“Ajo ka bërë punë të mrekullueshme sa ka qenë drejtoreshë në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës. Jo vetëm si mike që të njoh tash 10 vjet, por si banore e Prishtinës, të uroj shumë suksese”, ka shkruar Xharra në një postim në profilin e saj në Facebook, raporton Koha.net.

Ky urim i Xharrës është paksa befasues duke e pas parasysh rivalitetin tradicional mes këtyre dy partive, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror, ndonëse kanë bashkëqeverisur në qeverinë e fundit.