Kadaj-Bujupi: LDK e PDK po festojnë mbijetesën

Kadaj-Bujupi: LDK e PDK po festojnë mbijetesën

23 tetor 2017 23:37

Sipas deputetes së Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi, LDK-ja dhe PDK-ja po festojnë mbijetesën pas rezultateve në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Edhe pse LDK dhe PDK prijnë me komuna të fituara dhe pjesëmarrje në balotazh, Kadaj-Bujupi thotë se këto komuna kanë humbur bastionet e tyre.

“Ata të cilët po festojnë fitoren, po festojnë mbijetesën. Nëse e shihni cilat janë komunat e udhëhequra nga këto parti nga viti 2013 dhe sa kanë rënë tash, tregon se po festojnë mbijetesën. Në komunat ku jemi në balotazh, ato janë llogaritur si bastione të tyre”, ka thënë ajo, duke përmendur komunën e Prishtinës, në të cilën do të ketë balotazh mes Shpend Ahmetit të VV-së dhe Arban Abrashit të LDK-së.

Kadaj-Bujupi ka deklaruar se VV është rritur për 100 për qind, edhe pse nuk ka arritur të fitojë asnjë komunë pa balotazh, por do të hyjë në raundin e dytë në gjashtë komuna. Nuk ka pranuar të bëjë krahasim mes zgjedhjeve qendrore të qershorit dhe atyre lokale të tetorit, kur VV ishte partia e parë, ndërsa tani doli e treta.

“Është hera e dytë që garojmë në zgjedhjet lokale. Më 2013 kishim 65 mijë vota, ndërsa sivjet kemi 130 mijë vota. Rrjedhimisht numrat flasin se ne jemi dyfishuar në të gjitha asambletë në komunat e Kosovës. Jemi në balotazh në gjashtë komuna. Objektivat e organizatës janë të larta. Më 11 qershor kemi konfirmuar që VV është rritur 100 për qind. Nga 16 deputetë sa kishim jemi të parët në vend me 32 deputetë. Krahasim nuk mund të bëhet mes zgjedhjeve lokale dhe qendrore. Në këto të dyja fushata VV është rritur 100 për qind. Në qershor kemi dyfishim të deputetëve, e në tetor kemi dyfish të numrit të asamblistëve”, ka thënë ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme