Zgjedhjet lokale

Kurti i pakënaqur me rezultatet e VV-së në zgjedhjet lokale

Descriptive Text

Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes njëherësh i nominuari nga kjo parti për kryeministër në zgjedhjet e qershorit, nuk është ndarë i kënaqur me rezultatet e kësaj partie në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se ka pritur rezultate më të mira të partisë së tij, që nuk arriti të fitojë asnjë komunë pa balotazh, ndërsa në raundin e dytë hyn në pesë komuna. Kurti shpreson që në balotazh të hyjnë edhe në Vushtrri, ku VV është prapa LDK-së për më pak se 40 vota teksa akoma s’janë publikuar rezultatet e votave me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Sipas Kurtit, VV-së i duhet analizë konkrete dhe të shihet cilat janë dobësitë e Vetëvendosjes dhe si mund të rregullohen ato.

“Rezultati i zgjedhjeve lokale 2017 ishte gati dyfishim i atij të zgjedhjeve lokale katër vite më parë. Më 3 nëntor 2013 hymë në balotazh vetëm në kryeqytet dhe asokohe si të dytët. Me 22 tetor 2017, përveç në kryeqytet ku prin Shpendi, jemi në balotazh edhe në pesë e ndoshta edhe gjashtë komuna të tjera. Megjithatë, ky rezultat nuk ishte ai që shpresonim dhe as ai që prisnim. Sigurisht kjo duhet trajtuar edhe me vetëkritikë. Këto ditë duhet të jenë edhe ditë analize konkrete sipas komunave dhe ditë reflektimi mbi strategjitë e veprimet: cilat janë dobësitë e organizatës sonë dhe si mund t'i rregullojmë ato; cilat janë mangësitë e ligjërimit tonë dhe si mund t'i plotësojmë ato”, ka shkruar ai në Facebook.