Kandidati i pavarur në Shtime kërkon përkrahjen e të gjithëve për ta mundur PDK-në

23 tetor 2017 19:54

Edhe komuna e Shtimes do t’i përsërisë zgjedhjet.

Pas tri vjetësh qeverisje në krye të Komunës së Shtimes, Naim Ismajli nga Partia Demokratike e Kosovës po rrezikohet nga ish-bashkëpartiaku i tij, Fatmir Rashiti.

Sipas rezultateve, kryetari i deritanishëm ka rreth 39 për qind të votave e është i ndjekur nga Rashiti me 27 për qind, i cili po kandidon si i pavarur.

Arsyeja e kësaj rënie të PDK-së në Shtime, sipas Ismajlit, nuk është mosangazhimi i tij.

“Nuk mendoj që është mospuna jonë, pasi komuna është vlerësuar si një ndër komunat që ka pasur sukses të madh. Kanë dalë tre kandidatë gjithsej, e ata bartin një pjesë të elektoratit të partisë sonë.”

Ismajli për Rashitin thotë se nuk iu dha mundësi brenda partisë e për atë ai doli si i pavarur.

Mirëpo, ky i fundit mohon një gjë të tillë.

“Kam vendosur të kandidoj i pavarur, pasi në mandatin e fundit qeverisës nuk kam qenë i kënaqur me qeverinë komunale. Unë kam qenë kundër kësaj qeverie, kam kërkuar që PDK-ja të reformohet”.

Për balotazhin ai thotë se janë në bisedime me LVV-në dhe LDK-në për një koalicion të mundshëm.

Ndërsa, demanton deklaratën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për të cilën thotë se është kandidat i përkrahur nga të gjitha partitë që nuk kanë qenë në garë, por assesi nga PDK-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme