Zgjedhjet lokale

Tch: Vetëvendosje, humbësja e zgjedhjeve

Kosova votoi të dielën për kryetarët e komunave, një votë e cila për shumëkënd ishte menduar si një vijim i votës së 11 qershorit.

Por, rezultatet e publikuara deri më tani flasin ndryshe. Vetëvendosje, e cila vinte në këto zgjedhje me shumë besim se do të arrinte të merrte disa komuna të rëndësishme, nuk arriti të fitojë asnjë në raundin e parë, e do duhet të përballet në 7 komuna në balotazh. Në balotazh do të jetë dhe Prishtina, kali i betejës i Vetëvendosjes, e cila pretendonte ta fitonte komunën më të madhe që në raundin e parë.

Por, rezultatet dëshmuan se Shpend Ahmeti, edhe pse siguroi mbi 44% të votave, do të duhet të përballet sërish me Arban Abrashin e LDK-së në balotazh, i cili arriti të merrte 35% të votave të qytetarëve të Prishtinës, raporton TopChannel.

Një situatë e cila mund të ripërsërisë rezultatin e 4 viteve më parë, por këtë herë kundër Vetëvendosjes. Edhe pse jo publikisht, Abrashi ka mbështetjen e PDK, AKR, AAK e disa partive të tjera, të cilat kërkojnë mposhtjen e Vetëvendosjes.

Në rang kombëtar, duket se LDK-ja pas rezultatit jo të mirë të 11 qershorit, duket se është rikthyer në normalitet, ku ka arritur të fitojë 4 komuna dhe të shkojë në balotazh në 9 të tjera. PDK, nga ana tjetër, ka arritur të fitojë direkt vetëm një komunë dhe për 10 të tjera do të përballet sërish në raundin e dytë. PDK ka regjistruar rezultatin më të ulët në histori në Prishtinë, ku ka arritur të marrë vetëm 5.7% të votave.

Me një rritje të lehtë është dhe AAK e Ramush Haradinajt, e cila ka triumfuar direkt në dy komuna bastione të saj, Deçanin dhe Junikun, ndërkohë që në balotazh do duhet të diskutojë dhe 6 komuna të tjera.

Përsa i përket votave partiake, nga 95% e të dhënave të publikuara deri më tani, LDK është parti e parë në të gjithë Kosovën, PDK e dyta, VV e treta dhe AAK parti e katërt.