Totaj e Haskuka në balotazh për Prizrenin, Baxhaku akuzon Thaçin e PDK-në

23 tetor 2017 19:12

29.68 për qind të votave të prizrenasve i ka fituar kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj.

Nga rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i dyti renditet kandidati i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, raporton KTV.

Që të dy do të përballen në balotazh. Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se gara e balotazhit do të jetë interesante në Prizren dhe se LDK-ja do të jetë ajo që do ta përcaktojë fituesin.

Menjëherë pas publikimit të rezultateve në Prizren, PDK-ja e shpalli fitoren. Totaj theksoi se do të fitojë edhe në balotazh.

Por, Mytaher Haskuka i “Vetëvendosjes” është i bindur se do ta mposhtë Shaqir Totajn.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit ka thënë se arsyeja pse doli i treti është se PDK-ja bëri koalicione të fshehta. Baxhaku ka akuzuar edhe presidentin Hashim Thaçi për përfshirje në fushatën zgjedhore në Prizren.

Rezultati në Prizren nxori Mytaher Haskukën e VV-së të dytin, me 22.46 për qind të votave, Hatim Baxhakun e LDK-së me 19.70 për qind dhe Zafir Berishën e Nismës me 7.83.

Gjithsesi qytetarët presin ndryshime pozitive në Prizren.

Qytetarët e Prizrenit do të duhet të dalin sërish të votojnë për njërin nga kandidatët, Shaqir Totajn apo Mytaher Haskukën, në zgjedhjet e balotazhit që do të mbahen më 19 nëntor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme