Zgjedhjet lokale

Edhe Ahmeti edhe Abrashi të bindur se do të fitojnë në balotazh

43.49 % të votave ka marrë Shpend Ahmeti në garën për kryeqytetin, bazuar në rezultatet preliminare të publikuara nga KQZ-ja.

I dyti pas Ahmetit ka dalë kandidati i LDK-së, Arban Abrashi, me 35.87 %.

Ky rezultat e dërgon Prishtinën në balotazh, ku pritet të jetë një garë e fortë mes dy kandidatëve, të cilët pas publikimit të rezultateve, u shprehën të bindur në fitoren e tyre në rundin e dytë, raporton KTV.

Garë interesante në Prishtinë ka qenë për Kuvendin Komunal, ku për dallim nga mandati i kaluar, Vetëvendosje ka shënuar rritje.

Ulëse më shumë pas VV-së në Kuvendin Komunal do të ketë LDK-ja, ku ka fituar 28.54 % të votave.

Pas LDK-së, është PDK-ja e cila ka marrë më shumë vota për asamblenë komunale, 10.98 %, sesa kandidati i saj për kryetar, Lirak Çelaj, me vetëm 5.85 %.

Partia e tretë në Prishtinë, sipas rezultateve të deritanishme, në këto zgjedhje është AKR-ja dhe kandidati i saj, Selim Pacolli, me 10.25 %.

Pacolli është shprehur se nuk e ka pritur këtë rezultat, megjithatë ka thënë se e pranon si të tillë.

Kandidati i AAK-së, Arbër Vllahiu, ka marrë 3.27% të votave.

Ndërkohë, Rifat Deri i Alternativës, Shyqiri Bytyqi i Nismës dhe Avni Çakmaku i Fjalës nuk kanë arritur të marrin as 1 % të votave.