KQZ afër fundit të numërimit, këto janë rezultatet në të gjitha komunat

KQZ afër fundit të numërimit, këto janë rezultatet në të gjitha komunat

23 tetor 2017 01:40

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke procesuar numërimin e fundit për zgjedhjet për kryetarë komunash.

Si rëndom, procesi i pasqyrimit të votave në uebfaqen e KQZ-së komplikohet. Megjithatë, sipas rezultateve të orës 1:00 pas mesnate, pasqyra është kjo:

Deçan Bashkim Ramosaj i AAK-së fiton pa balotazh me 63.18 për qind.

Gjakovë, pas numërimit të 90 për qind të votave, do të ketë balotazh mes të Ardian Gjinit të AAK-së dhe Mimoza Kusari-Lilës të Alternativës. Gjini ka 40.36 për qind të votave, ndërsa Kusari-Lila 31.82 për qind të votave.

Drenas pa balotazh ka fituar Ramiz Lladrovci i PDK-së.

Gjilan janë numëruar 74.42 për qind të votave. Ky rezultat e vendos Lutfi Hazirin e LDK-së të parin me 43.56 për qind, ndërsa në balotazh hyn Sami Kurteshi i Vetëvendosjes me 26.86 për qind.

Dragash janë numëruar 84.75 për qind e votave e atje do të ballafaqohen Selim Kryeziu i LDK-së (37.94 %) me Shaban Shabanin e PDK-së (28.12%).

Për herë të parë Istogu shkon në balotazh. Nga 87.3 për qind e votave të numëruara, Haki Rugova i LDK-së është ndalur në 43.85 për qind të votave, i ndjekur nga Gani Dreshaj i AAK-së me 37.07 për qind.

Kaçanik janë numëruar 82.98 për qind e votave. Aty po zhvillohet garë e ngushtë për vendin e dytë. I pari është Besim Ilazi i PDK-së (39.21%), i dyti Basri Kodra i VV-së (21.69%) e Shkëlqim Jakupi i LDK-së me 19.59 për qind.

Klinë kryetari aktual Sokol Bashota i PDK-së do të duhet që edhe për katër javët e ardhshme t’i bindë qytetarët se meriton edhe një mandat. Ai ka marrë 37.48 për qind të votave, ndërsa për balotazh luftojnë Zenun Elezaj i AAK-së me 24.54 për qind të votave dhe Besim Hoti i LDK-së me 24.11 për qind. Në këtë KQZ ka numëruar 83.87 për qind të votave.

Fushë Kosovë nuk do të ketë balotazh, pasi Burim Berisha i LDK-së ka fituar mandatin e katërt si kryetar komune me 63.45 për qind kur KQZ ka numëruar 82.22 për qind të votave.

Për herë të parë, VV prin në Kamenicë. Qëndron Kastrati ka fituar 34.28 për qind të votave dhe në balotazh e pret Shaip Surdullin e LDK-së që ka 28.39 për qind të votave. KQZ nga kjo komunë ka numëruar 89.29 për qind të votave.

96 për qind të votave janë numëruar në Mitrovicë. Valdete Idrizi e PDK-së prin ngushtë para Agim Bahtirit të AKR-së. E para ka 29.7 për qind e i dyti 27.13 për qind.

As në Lipjan s’do të ketë balotazh. KQZ ka numëruar 92.68 për qind të votave dhe fitues është Imri Ahmeti i LDK-së me 59.53 për qind të votave.

94.29 për qind të votave janë numëruar në Obiliq. Kryetari aktual Xhafer Gashi i AAK-së është fare pranë kuotës së 50 përqindëshit (49.18%). Nëse Obiliqi shkon në balotazh, do t’i duhet të garojë kundër Mehmet Krasniqit të LDK-së (27.78%).

Rahovec prin Smajl Latifi i AAK-së (33.26%) i ndjekur nga Idriz Vehapi i PDK-së (29.68%). Janë numëruar 97.44 për qind të votave.

Ajo që pak kush e ka pritur ka ndodhur në Pejë. Gazmend Muhaxheri i LDK-së ka fituar pa balotazh me 50.31 për qind.

Podujeva për herë të parë hyn në balotazh nëse vazhdon rezultati sikur i 88.29 për qind të votave të numëruara. Agim Veliu i LDK-së prin me 48.42 për qind, i ndjekur nga Agim Potera i VV-së me 29.84 për qind.

KQZ ka numëruar vetëm 76.69 për qind të votave në kryeqytet, Prishtinë. Sipas tyre, Shpend Ahmeti i VV-së prin me 44.52 për qind, ndërsa në balotazh do të përballet Arban Abrashin e LDK-së (35.89%).

Prizren janë numëruar 85.84 për qind e votave. Shaqir Totaj i PDK-së është i pari me 30.04, ndërsa në balotazh hyn Mytaher Haskuka i VV-së me 21.92 për qind.

Siç pritej, në Skenderaj kandidati i pavarur Bekim Jashari ka fituar pa balotazh mbi 85 për qind të votave.

Shtime do të ketë balotazh mes Naim Ismajlit të PDK-së dhe kandidatit të pavarur Fatmir Rashiti.

LDK-ja që udhëhiqte me Suharekën tani do të hyjë në balotazh si e dyta. Sali Asllanaj i LDK-së do të garojë në balotazh me Bali Muharremajn e AAK-së.

Ferizaj, Agim Aliu i PDK-së po udhëheq me rreth 39 për qind të votave, duke lënë prapa Muharrem Sfarqën e LDK-së me të cilin do të përballet në balotazh.

Vushtrri me 80 për qind të votave të numëruara, Ferit Idrizi i PDK-së ka 32.82 për qind të votave ndërsa LDK e VV përballen fort për pozitën e dytë. Xhafer Tahiri i LDK-së ka 26.06 për qind të votave, ndërsa Besim Muzaqi ka 25.29 për qind të votave.

Malisheva është komuna e vetme në të cilën në balotazh hyn Nisma. Nisma që udhëheq me këtë komunë në balotazh hyn si e para me Ragip Begajn që ka marrë 39.97 për qind të votave. Ai ndiqet nga kandidati i PDK-së që ka 27.72 për qind të votave.

Vitia është komuna e radhës e cila nuk do të ketë balotazh. Sokol Haliti i LDK-së ka fituar shumicën e nevojshme për t’iu shmangur balotazhit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme