Tahiri: PDK u rikonfirmua partia e parë

Tahiri: PDK u rikonfirmua partia e parë

22 tetor 2017 20:19

Partia Demokratike e Kosovës thotë se është rikonfirmuar sot si parti e parë në Republikën e Kosovës, duke marrë besimin më të madh të qytetarëve në shumicën e komunave.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu – Kodra kanë shpallur fitoren e PDK-së në nivel vendi përmes një konference për media, ku kanë falënderuar të gjithë qytetarët për besimin e dhënë dhe gjithë komisionerët, vëzhguesit dhe aktivistët e Partisë Demokratike për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, transmeton Koha.net.

“Tani që ka përfunduar procesi zgjedhor dhe kemi një pasqyrë fillestare nga degët tona anekënd vendit, kam kënaqësinë t’ju njoftoj se Partia Demokratike e Kosovës është rikonfirmuar si partia e parë në Republikën e Kosovës. PDK ka hyrë në balotazh në numrin më të madh të komunave. Çdo herë që ka fituar Partia Demokratike e Kosovës, kanë fituar vetë qytetarët e vendit tonë, lagjet, fshatrat dhe qytetet e tyre. Këtë frymë triumfuese të Partisë Demokratike të Kosovës do ta vazhdojmë fuqishëm dhe do ta kurorëzojmë me fitore në balotazh”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se nga rezultatet e para PDK është fituese në 16 komuna, në shumicën e tyre prinë më vota, kurse në disa komuna të tjera është në balotazh.

“Është shumë e rëndësishme të theksohet se PDK është fituese në 3 prej komunave më të madhe, Prizreni, Mitrovica dhe Ferizaj. Qytetarët e Kosovës, në lagjet, qytetet dhe fshatrat e tyre, edhe një herë e vërtetuan se Partia Demokratike e Kosovës është adresa kryesore politike në vendin tonë. Pra, do të jemi të parët në nivel vendi”, ka thënë Deliu-Kodra.

Kurse kreu i PDK-së, Kadri Veseli përmes një postimi në Facebook ka falënderuar qytetarët për besimin dhënë partisë që ai udhëheqë.

“Qytetarët treguan, edhe një herë, besimin e palëkundur që kanë për Partinë Demokratike të Kosovës. Ju falënderoj nga zemra të gjithëve për votëbesimin tuaj. Bashkë, si gjithmonë, jemi forcë e ndryshimit”, ka shkruar Veseli.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme