LVV: Komunarët po matin rrugë dhe po premtojnë investime në Zakut të Podujevës Foto: Koha / Ilustrim

LVV: Komunarët po matin rrugë dhe po premtojnë investime në Zakut të Podujevës

22 tetor 2017 18:38

Zyrtarët e Qendrës së lëvizjes “Vetëvendosje” në Podujevë kanë akuzuar zyrtarët komunalë se po kërcënojnë qytetarët dhe po premtojnë investime në ditën e zgjedhjeve lokale.

Në një reagim, të postuar në rrjetin social “Facebook”, ata kanë thënë se drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Durim Salihu, ka shkuar në fshatin Zakut për të matur rrugë dhe për të premtuar investime atje, raporton Koha Ditore.

“Gjatë gjithë ditës së sotme, zyrtarë të LDK-së në zona të ndryshme të Llapit po përdorin forma të ndryshme të shantazheve me qëllim të përfitimit të votave. Drejtori në ikje i Urbanizmit, Durim Salihu, ka shkuar sot në fshatin Zakut për të matur rrugë e duke premtuar investime në këtë fshat. Kjo është përpjekje e pastër për blerje të votës”, thuhet në reagimin e LVV-së në Podujevë.

Sipas zyrtarëve të saj, përpos kërcënimeve dhe përpjekjeve për blerje të votës, zyrtarët e LDK-së po i përdorin automjetet zyrtare të Komunës për të bartur votues.

“Një forme tjetër e tendencave të tyre për manipulim, është edhe përmes mbipopullimit të klasave me vëzhgues. Në secilën klase janë nga 3 e më shumë vëzhgues nga LDK.

Ne kërkojmë nga organet përgjegjëse që të marrin masa në parandalimin e veprimeve që cenojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar të lirë dhe sipas vullnetit dhe të hetohet çdo përpjekje tjetër për manipulim të votave”.

Në anën tjetër, Durim Salihu, e ka mohuar të ketë shkuar gjatë ditës së sotme në fshatin Zakut. Ai këtë e ka quajtur trillim.

“Nuk është aspak e vërtetë kjo. Ky është trillim dhe shumë e ulët kushdo që e ka thënë”, është shprehur Salihu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme