AKR-ja alarmon për “trenin bullgar” në Skivjan dhe në Mitrovicë, numëron edhe parregullsi të tjera

AKR-ja alarmon për “trenin bullgar” në Skivjan dhe në Mitrovicë, numëron edhe parregullsi të tjera

22 tetor 2017 18:12

Shefi i Shtabit Zgjedhor të AKR-së, Fatmir Matoshi në një konferencë për media tha se AKR-ja shpreh pakënaqësi për disa incidente të vogla që kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor, të cilat e prishin imazhin e zgjedhjeve, ndërsa tha se uron që këto probleme të mos ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

Ai tha se kanë marrë ankesa nga disa komuna për shkelje, përfshirë Prizrenin, Gjakovën dhe Prishtinën.

“Në Klinë kemi një rast të fotografimit të votës. Dihet personi i cili e ka fotografuar, me emër dhe mbiemër. Pastaj në Prishtinë, një votuesi i janë dhënë dy fletëvotime për kandidat për kryetar, të njëjtit votues. Ka pasur një rast tjetër, kur një votuesi nuk i është dhënë fleta e dytë pas dëmtimit të fletës së parë. Ka pasur fotografime. Fotografimi i votave është një dukuri, që po na shoqëron edhe në komunat e tjera. Janë mbi 130-140 të deklaruara, ku qytetarë të ndryshëm fotografojnë votën. Në Skivjan të Gjakovës, është raportuar për ‘trenin bullgar’ dhe pastaj në Mitrovicë, ku deri më tash është konfirmuar nga kandidati ynë se kanë humbur minimalisht 6 fletëvotime dhe kjo mund ta dëmtojë procesin”, tha ai.

E këto akte të prishjes së procesit zgjedhor, Matoshi tha se presin nga organet përgjegjëse që të ndërmarrin masat e nevojshme sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që të mos ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm.

Ndërkaq, Matoshi përgëzoi policinë për angazhimin e tyre që procesi të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe punën e palodhshme të të gjithë komisionarëve që janë angazhuar në këtë proces.

Sipas tij, AKR po pret rezultate shumë të mira nga këto zgjedhje, ndërsa është e sigurt në fitoren e kandidatit të saj për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, raporton Ksp.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme