Tahiri: PDK-ja po rikonfirmohet si parti e parë, në më së shumti komuna shkojmë në balotazh

Tahiri: PDK-ja po rikonfirmohet si parti e parë, në më së shumti komuna shkojmë në balotazh

22 tetor 2017 17:36

Partia Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur konferencën e dytë për media, në të cilën ka thënë se është rikonfirmuar si partia e parë në Kosovë, pasi është në më së shumti komuna në balotazh.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se mbarëvajtja e procesit zgjedhor është kryesisht e mirë, transmeton Koha.net.

“Ato pak parregullsi të vogla që kanë qenë, do të adresohen prej degëve tona në institucionet përgjegjëse. Mirëpo, shqetësuese e kemi rastin e Mitrovicës, ku humbësit e zgjedhjeve po mundohen të manipulojnë përmes fenomenit të ashtuquajtur treni bullgar”, ka thënë Tahiri.

Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, Tahiri i ka falënderuar rreth 20 mijë aktivistë të PDK-së të angazhuar në këtë proces.

“Këta aktivistë pandalshëm po e japin kontributin e tyre, rezultatet e të cilëve do të dëshmohen edhe sonte, duke rikonfirmuar PDK-në si partinë më të madhe në vend, me numrin më të madh të komunave ku shkojmë në balotazh”, ka thënë Tahiri.

Ai i ka falënderuar votuesit e PDK-së për besimin e tyre të palëkundur në liderishipin dhe qeverisjen e PDK-së.

“Shfrytëzojmë rastin të apelojmë tek të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që ende nuk kanë votuar, gratë, nënat, motrat, të rinjtë dhe të rejat, që të dalin dhe ta kryejnë obligimin e tyre qytetar, duke votuar dhe zgjedhur vetë kryetarin dhe asamblistët e komunave të tyre”, ka thënë Tahiri.

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se ky subjekt politik mbetet i përkushtuar që zgjedhjet të përfundojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme