Në 6 komuna të Rrafshit të Dukagjinit votimi kryesisht pa incidente

Në 6 komuna të Rrafshit të Dukagjinit votimi kryesisht pa incidente

22 tetor 2017 13:24

Pejë, 22 tetor – Procesi i votimit në gjashtë komunat e Rrafshit të Dukagjinit - Pejë, Gjakovë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik, nga ora shtatë e mëngjesit e deri në orën 12.00 ka kaluar kryesisht mirë, pa u shënuar ndonjë incident i rëndë, raporton korrespondenti i “Kohës Ditore” në Pejë.

Veton Mujaj, drejtori i OJQ “Syri i Vizionit”, në Pejë, organizatë kjo që monitorin procesin e votimit në këto gjashtë komuna, në kuadër të rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, tregon se përveç ndërprerjes së votimit për gati një orë në komunën e Deçanit dhe të votimit me asistencë të vëzhguesve të subjekteve politike, në dy vendvotime në fshatin Gllogjan të Pejës, nuk ka pas probleme tjera në këtë proces. “Ka qenë një problem goxha i madh në Deçan, se kur është sjellë materiali sensitiv të shtunën mbrëma nga Prishtina në Deçan dhe materiali është shpërndarë në qendra të votimit, janë përzier vulat, të cilat nuk kanë përfunduar në qendrat ku janë dashtë. Për këtë shkak është dashtë të ndërpritet votimi për gati një orë në gjitha qendrat e votimit në këtë komunë, derisa secila vule është kthyer në qendrat përkatëse të votimit”, tha Mujaj. E para se të ndërpritet votimi nga ora 7.20 deri pak pas orës tetë, derisa janë kthyer vulat në vendet e veta, disa qytetar kanë votuar. “Tash duhet të shikohet se çka do të ndodh me votat që kanë votuar qytetarët para se është ndërprerë votimi, pasi në ato fleta votuese janë vulat e qendrës tjetër. Këta të KKZ-së në Deçan thonë se nuk është problem, pasi, sipas tyre, ato do të numërohen edhe pse kanë vulë të qendrës tjetër”, thotë Mujaj.

Për mospërfundimin e vulave në qendrat përkatëse të votimit, ka reaguar edhe dega e AAK-së në Deçan. “Ne Deçan dikujt shumë po i intereson dëmtimi i procesit të votimit. Dje kishim problemin e zhdukjes se 44 fletëvotimeve për kryetar gjatë rrugës nga KQZ në Prishtinë deri në KKZ në Deçan. E sot për një orë nuk ka filluar procesi i votimit si pasoj e ndërrimit të vulave të qendrave të votimit. Deçanin nuk mund ta shantazhojë askush dhe përpjekjet e tilla të kujtdo dhe të cilit do qellim, do të shkojnë huq”, thuhet në reagimin e AAK-së të lëshuar nga Hajdar Sutaj, sekretar i përgjithshëm i AAK-së në Deçan. Problem tjetër që demokracia në Verim ka regjistruar në këtë rajon, kanë qenë votimi me asistencë në dy vendvotime në shkollën fillore në fshatin Gllogjan të Pejës. Mujaj tregon se në një rast një qytetar ka votuar me asistencë të një komisioneri. Kurse në tri raste tjera në këtë shkollë, në vendvotimet 1712-01 dhe 1712-02 sipas tij kanë votuar me asistencë të vëzhguesve të partive politike. “Faktikisht nuk është në rregull kjo, sepse qytetari mund të votojë me asistencë të familjarit, por jo të vëzhguesve të subjekteve politike, edhe pse u është lejuar që ti ndihmojnë qytetarët për votim në këto tri raste”, ka thënë Mujaj, duke shtuar se edhe në këto zgjedhe, sikurse edhe në zgjedhjet e përgjithshme në muajin qershor, në shumicën e vendvotimeve ka më pak fleta të votimit sesa numri i votuesve në listat e votimit. Duket se KQZ po dërgon më pak fleta votimit me mendimin se nuk dalin të gjithë qytetarët të votojnë që gjenden në listat votuese.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme