Zgjedhjet lokale

Kuçi: Proces i rregullt, s’ka parregullsi që duhet të theksohen

Shefi i shtabit zgjedhor të AAK-së, Blerim Kuçi, në konferencën e parë të kësaj partie, tha se procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe se nuk ka parregullsi, të cilat vlen të theksohen.

Ndërsa tha se ky proces duhet të jetë i qetë dhe i dinjitetshëm, ashtu siç ishte dhe fushata parazgjedhore.

“Fushata gjatë këtyre 30 ditëve të fundit ka qenë e rregullt, e qetë dhe e dinjitetshme. Dëshirojmë edhe sot po ashtu të jetë dhe kjo ditë e votimit, ditë e dinjitetshme, e rregullt që t’i mundësohet qytetarit që vullnetin e vet ta vendos në kutitë e votimit lirshëm. Është një ditë e mirë, ditë e mirë për punë, ditë e mirë për të votuar. Sipas informatave të terrenit që kemi sot, është një proces i rregullt. S’kemi parregullsi që duhen të theksohen. Dëshirojmë që dhe më tutje ky proces deri në momentin e fundit, të jetë po ashtu i rregullt. I ftojmë komisionerët dhe vëzhguesit, që ta mundësojnë që ky proces të jetë ashtu siç është dhe vullneti i qytetarëve”, tha Kuçi, transmeton KP.