Zgjedhjet lokale

Kërcënohet komisioneri shqiptar në veri të Mitrovicës, detyrohet të braktisë vendvotimin

Eroll Gashi, komisioner nga radhët e PDK-së, është kërcënuar nga kryesuesi i vendvotimit B11 në Qendrën e votimit ‘Sveti Sava’ në veri të Mitrovicës, me ç’rast është detyruar ta braktisë vendvotimin.

Ai ka bërë të ditur për KosovaPress se nuk ka lejuar që i njëjti person të votojë dy herë në këtë vendvotim, prandaj edhe është kërcënuar.

“Kam vërejtur se një qytetar po tenton të votojë për herë të dytë në vendvotimin B11 ku isha komisioner, dhe nuk kam lejuar një gjë të tillë. Kryesuesi i këtij vendvotimi më është afruar duke më thënë ‘mrsh ti, me mua do të kesh punë’ dhe ka dalë jashtë ka biseduar edhe me disa persona tjerë. Kam informuar përfaqësuesit e OSBE-së në këtë qendër se jam i detyruar të braktis vendvotimin nga frika prej personave të panjohur”, ka thënë Gashi.