Gjithçka gati për zgjedhjet lokale

Gjithçka gati për zgjedhjet lokale

21 tetor 2017 10:27

Pas një fushate 30 ditëshe për zgjedhjet lokale, në Kosovë ka nisur heshtja zgjedhore.

Më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë me të drejtë vote, do të kenë mundësinë që të votojnë të dielën, më 22 tetor, për kandidatët për kryetar të komunave dhe këshilltarët komunalë.

Zgjedhjet lokale mbahen në 38 komunat e Kosovës.

Në këto zgjedhje marrin pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (qoftë për kryetar komune apo për këshilltar në kuvendet komunale).

Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare kanë paralajmëruar se do të vëzhgojnë nga afër procesin e zgjedhjeve lokale.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se KQZ-ja ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje. Pastaj organizata joqeveritare vendore, institucione ndërkombëtare, organizata joqeveritare vendore, përfaqësi diplomatike të akredituara në Republikën e Kosovës, si dhe media vendore dhe ndërkombëtare. Për KQZ-në vëzhgimi i procesit zgjedhor është thelbësor, pasi kjo do të ndikonte në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe aktorëve të tjerë në procesin zgjedhor", ka thënë Elezi.

Zgjedhjet e 11 qershorit do të vëzhgohen edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare vendore, “Demokracia në Veprim”.

Në këtë koalicion bëjnë pjesë më shumë e 20 organizata nga komuna të ndryshme të Kosovës. Nga ky koalicion janë akredituar më se 2.700 vëzhgues.

Ndërkohë, organet përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kanë thënë se kanë bërë mobilizime të shtuara për të sanksionuar çdo veprim joligjor në procesin e zgjedhjeve lokale.

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë bërë të ditur një ditë më parë se i kanë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve lokale.

"Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës", ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, në një takim lidhur me angazhimin e Policisë në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet lokale 2017”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme