Zgjedhjet lokale

Mustafa: Ky tubim madhështor sjell lajmin për fitoren historike të LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të premten në Prishtinë, se “ky tubim madhështor dhe qindra të tjerë që janë mbajtur në çdo cep të Kosovës, paralajmërojnë për fitoren historike më 22 tetor”.

“Entuziazmi që kanë manifestuar qytetarët e mrekullueshëm të Kosovës në tubimet e takimet e shumta që kemi zhvilluar këto ditë të fushatës parazgjedhore, janë sinjal i fitores së sigurt të LDK-së. Fitorja e LDK-së në Prishtinë dhe në të gjitha komunat tjera, e ‘Lidhë’ nyje dhe e siguron trajektoren e rrugëtimit të Kosovës drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik. Fitorja e LDK-së e ndalë keq-qeverisjen, zhvatjen, korrupsionin, kërcënimin, arrogancën e paranoizmin e rivalëve tanë politikë”, ka thënë Mustafa.

Sipas njoftimit për media të kësaj partie, Mustafa pohoi se LDK-ja do të fitojë në këto zgjedhje, sepse qytetarët e Kosovës janë bindur që është zgjidhja më e mirë për qeverisje të pastër dhe të efektshme të komunave të Kosovës.

“Qytetarët tashmë e kanë të qartë sepse krejt zhvillimet e pasluftës në Kosovë janë argument se e vetmja forcë politike që u ka qëndruar besnikërisht interesave të tyre dhe interesit të Kosovës është Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK-ja nuk e ka keqpërdorur vullnetin e qytetarëve të saj. Por, rivalët e saj politikë e kanë keqpërdorur vullnetin e LDK-së për t’i kontribuar Kosovës. Prandaj, kësaj radhe, LDK-ja kërkon me të drejtë, mbështetjen qytetare për t’ua pamundësuar këtyre keqpërdoruesve të vazhdojnë ta keqpërdorin LDK-në dhe Kosovën”, tha Mustafa.

Image

Sipas tij, kudo ku ka qeverisur, LDK-ja ka dëshmuar se punon për interesin e qytetarëve.

“LDK-ja, në nivel lokal dhe në nivel qendror, ka dëshmuar se është e vetmja parti politike që e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin, që e rrit buxhetin dhe që e ndanë atë proporcionalisht dhe pa e diskriminuar askënd”, tha ai.

Kreu i LDK-së, ka thënë se kjo parti nuk ka bashkëjetuar dhe nuk do të bashkëjetojë me krimin e korrupsionin, prandaj rivalët e saj e kanë të vështirë të punojnë me të, sepse, siç ka thënë, nuk mund ta durojnë vullnetin e LDK-së për të punuar drejt, me transparencë dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

“Duke e qenë e tillë, e sinqertë dhe e vendosur, LDK-ja, ballëhapur, sot u del përpara qytetarëve të Kosovës, për të kërkuar prej tyre mbështetje për ta ndryshuar kursin e Kosovës. Kosova e shpërthen stagnimin dhe izolimin vetëm duke u udhëhequr nga LDK-ja. Sepse, duke qenë e vetmja anëtare e Familjes së Partive Popullore Evropiane, LDK-ja e udhëheqë Kosovën kah vlerat perëndimore”, tha Mustafa.

Ai tha se LDK-ja është pasqyrë e Kosovës, ku bashkëjetojnë “Të Lidhur” brezi i bashkëpunëtorëve të presidentit Ibrahim Rugova, ai që e ndërtoi shtetin e Kosovës dhe brezi që do ta çojë përpara synimin për ta bërë Kosovën shtet të zhvilluar e demokratik. Për ta integruar në NATO e në Bashkimin Evropian, për ta bërë partnere dhe mike të denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Për t’i arritur këto synime, që janë synime për Kosovën, LDK-së i duhet mbështetje edhe përtej saj. I duhet mbështetje gjithpopullore, të cilën këto ditë nëpër tubimet tona, kemi parë që e kemi fituar. LDK-së i duhet, sidomos mbështetja e të rejave dhe të rinjve të Kosovës, që janë pasuria e këtij vendi. Sepse modeli i qeverisjes së LDK-së është e vetmja alternativë për të rinjtë e Kosovës. Modeli ynë nuk i mashtron të rinjtë, duke i joshur me përfitime të pamerituara. Por, u krijon hapësirë zhvillimi e perspektivë. Modeli ynë i qeverisjes nuk i mashtron ata për t’u konfrontuar me aleatët tanë”, tha Mustafa.

Ai shtoi se të rejat dhe të rinjtë tanë, të ardhmen e tyre e kanë në LDK, sepse, vetëm LDK i ka dyert e hapura për ta, ua hapë dyert dhe i ‘Lidhë’ me krejt botën.

“Alternativat tjera i kanë të zymta. Janë të LIDHURA vetëm me degradimin e izolimin. Ne i ftojmë të rinjtë tanë t’i bashkohen sa më shpejt vizionit të LDK-së për ta ndërtuar të ardhmen e Kosovës. Sepse Kosova është e tyre, siç është sot LDK-ja e të rinjve të Kosovës. Ne nuk i thërrasim të rinjtë, sikur të tjerët, për t’u bërë pjesë e skemave kriminale e të korruptimit. Nuk i thërrasim të rinjtë, sikur të tjerët, të bëhen pjesë e skemave paranojave dhe të rrezikshme për orientimin civilizues të Kosovës. Por, i thërrasim ta udhëheqin Kosovën e sotme drejt një Kosove euro-atlantike”, tha Kreu i LDK-së.