Veseli: Dy ditë na ndajnë nga e diela e ndritshme

Veseli: Dy ditë na ndajnë nga e diela e ndritshme

20 tetor 2017 20:18

Partia Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur fushatën e saj elektorale në Prizren.

“Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, para mijëra simpatizantëve të PDK-së në Prizren, ka thënë se sa herë janë bashkuar në Prizren është bashkuar kombi ynë, kurse sa herë është bashkuar Prizreni ka lëvizë Kosova jonë, ka ndryshuar dhe ka fituar Kosova”, njofton kumtesa nga kjo parti.

“Prandaj jemi sonte këtu, për ta nisur nga Prizreni ndryshimin e madh të Kosovës. Me Partinë Demokratike të Kosovës, me Forcën e Ndryshimit të Kosovës, me kryetarët tanë që nga Prizreni deri në Mitrovicë”, ka thënë Veseli.

“Qytetarët janë mirënjohës për atë që kemi arritur bashkë, por ata duan edhe më shumë ndryshime në vendin tonë. Duan më shumë zhvillim ekonomik, më pak burokraci. Duan më shumë vende pune, më shumë investime, më pak izolim. Duan më shumë mbështetje dhe shanse për ta dhe më pak sharje e konflikte. Kosova jonë do zhvillim dhe integrim. Qytetari ynë do më shumë krenari e mirëqenie në shtetin e vet që e do”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së ka thënë se besimi i tyre është i madh, po aq sa edhe shpresa në Partinë Demokratike të Kosovës.

“Qytetarët nuk harrojnë sukseset e përbashkëta, por presin më shumë nga ne. Me të drejtë, ata presin më pak gabime nga ne, më pak vonesa dhe hezitime, presin më shumë veprime dhe vendime të mëdha, të drejta, që do ta nxjerrin vendin tonë fuqishëm të parin në zhvillim dhe të parin në mirëqenie në regjion”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se i ka dëgjuar ata dhe asnjëherë nuk do t’i zhgënjejë.

“Kemi paguar shtrenjtë për të ardhur deri këtu. Është i pafalshëm çdo kthim prapa. Nuk do ta lejojmë këtë, nuk do ta tolerojmë këtë. Do të ecim fuqishëm përpara. Në zhvillim, punësim, modernizim të jetës sonë, shanse të barabarta për qytetarin dhe fuqizim të shtetit tonë. Kjo është rruga jonë. Kjo është ajo për çfarë Partia Demokratike e Kosovës ekziston. Kjo është ajo pse ky popull luftoi dhe u flijua. E shenjtë është liria jonë. I shenjtë është shteti ynë. Amanet është mbrojtja dhe përparimi i kombit tonë”, ka thënë Veseli.

Veseli ka premtuar se do të punojë në reformat që e bëjnë Kosovën vend prodhues, që krijojnë punësim, që forcojnë shtetin ligjor dhe e integrojnë në familjen euroatlantike.

“Investimet nuk do të ndalen. Në të njëjtën kohë, do të punojmë për rritjen e mirëqenies qytetare. Do t’i rrisim pagat për gjithë sektorin publik. Do t’i rrisim ndihmat sociale për 20 për qind. Veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe familjeve të të zhdukurve, shteti ka obligim t’u ndihmojë. Nga java e ardhshme do të fillojë dhënia e mjeteve dhe më nuk do të ndalen kurrë”, ka premtuar Veseli.

Ai ka premtuar se nga janari i vitit 2018 nuk do të ketë më mjekë të papunë dhe nuk do të mbesin më pacientët pa barna.

“Në të gjitha komunat ku PDK do të udhëheqë, toka publike do të jepet falas për investitorët, taksa zero për bizneset dhe bursa të plota për studentët me notën mbi 8.0”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se vetëm edhe dy ditë na ndajnë nga vendimi i sovranit dhe nga fitorja e madhe për Kosovën ndryshe.

Ai ka thënë se vetëm edhe dy ditë na ndajnë nga ‘E diela e ndritshme’, që shënon epokën e re, epokën e përgjegjësive dhe të zotimeve të tyre për një raport ndryshe të politikës me qytetarët.

“Të gjithë së bashku, në dekadën e dytë të Republikës, duhet të hyjmë me shpresë, guxim dhe me besim te Zoti, për një Kosovë të zhvilluar, një Kosovë unike e demokratike, të aftë për veten dhe në paqe me të tjerët”, ka thënë Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se vetë qytetarët e Republikës sonë janë ndryshimi i madh, kurse PDK-ja është vetëm levë e tyre për këto ndryshime.

“Kështu ka qenë në të kaluarën. Kështu do të mbetet tash dhe më pas”, ka thënë Veseli.

Lideri i PDK-së ka thënë se bashkë do të marrim vendime të mëdha për kombin dhe jetën tonë.

“Ne guxojmë, aty ku të tjerët kanë frikë. Ne veprojmë, aty ku të tjerët stepen. Ne ecim përpara, aty ku të tjerët ndalen. Ne investojmë, aty ku të tjerët stagnojnë. Ne kemi sukses, aty ku të tjerët dështojnë, sepse ne jemi bashkë, fuqia lëvizëse e këtij vendi, ne jemi Forca e Ndryshimit të Kosovës”, ka thënë Veseli.

Nga Prizreni, Veseli u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i votojnë kandidatët për kryetarë komunash të PDK-së dhe kandidatët e PDK-së për kuvende komunale.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme