Vetëvendosje mbajti tubimin përmbyllës në Vushtrri

Vetëvendosje mbajti tubimin përmbyllës në Vushtrri

20 tetor 2017 15:41

Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, Vetëvendosje ka mbajtur tubim zgjedhor përmbyllës në Vushtrri.

Tubim është hapur nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, e cila tha se ndryshimin e nisëm në qershor me zemër dhe do ta përmbyllim me 22 tetor me mendje e me zemër.

“Rrugëtimi ynë drejt fitores ka qenë dhe mbetet i përbashkët me qytetarët. Tubimet tona nga qershori deri më tani, kanë shkuar duke u rritur. Falenderoj secilin qytetar që gjatë këtij muaji na erdhën në tubime, na ftuan dhe na pritën përzemërsisht në odat e tyre, dëgjuan me vëmendje shpalosjen e programit tonë dhe na përkrahën në çdo aktivitet e punë”, ka thënë Dërguti, njofton kumtesa partiake.

Në këtë tubim kryetari i VV-së, Visar Ymeri, tha se zgjedhjet e 11 qershorit ishin një konfirmim popullor për rrugën tonë të drejtë.

“Nuk ka Republikë pa vetëvendosje, ajo është themeli i saj. Pjesë e rëndësishme e kësaj fitoreje nuk mund të mos ishte edhe Vushtrria. Mbështetja për Lëvizjen në Vushtrri ishte e jashtëzakonshme. Lëvizja prin bindshëm me numrin e votave të fituara”, tha në këtë tubim Ymeri.

Më tej, Ymeri tha se Vushtrria është vjedhur e keqqeverisur, keqqeverisur e degraduar, degraduar e shëmtuar, shëmtuar e shkretuar.

Në fund, ai duke treguar profesionin e Besim Muzaqit si farmacist, tha se ai është ilaçi për këtë qytet.

Në tubimin zgjedhor përmbyllës në Vushtrri, foli edhe deputeti Albin Kurti.

“Qytetarët e Vushtrrisë nuk ia kanë pasur askujt borxh këtë gjendje të rëndë. Ka mundësi që ky kryetari juaj t’i këtë pasur borxh ndokujt. Mirëpo atë borxh le ta paguajë ai vetë, ose shefi i tij, ose shefi i shefave të tij dhe jo qytetarët e Vushtrrisë”, tha Kurti, duke shtuar se Vushtrria e do një komunë tjetërfare, prandaj i duhet qeverisje tjetërfare.

Kurti tha se këtë qeverisje e ofron vetëm Vetëvendosje, duke kujtuar se me 11 qershor ajo ka dalë e para në Vushrri, e duke bërë thirrje që edhe me 22 tetor, ajo të dalë me rezultat edhe më të fuqishëm në këtë komunë.

Teksa foli për Besim Muzaqin, Kurti tha se ai me 22 tetor po aplikon për punë tek qytetarët, që më pas këtyre të fundit të mos iu bëhet e padrejtë kurrë kur duan të punësohen.

Kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Besim Muzaqi, në tubimin zgjedhor përmbyllës në këtë komunë, ndër të tjera tha se “Ne kemi qenë zëri qytetar në opozitë në Vushtrri. Ne do jemi ndryshimi i vërtetë në qeverisjen e Komunës pas 22 tetorit. Me 38 kandidatët më të mirë e më profesionistë, me ekspertë të shumtë për secilën fushë. Me dijen dhe dashurinë që rrezaton në secilin prej 37 zotimeve tona programore për transformimin e Komunës së Vushtrrisë”, tha Muzaqi.

Ai po ashtu u zotua se do të krijohen kushtet për ta luftuar pabarazinë, ndërsa shtoi se trashëgimia e larmishme kulturore e Vushtrrisë në të gjitha etapat historike ka kontribuar në identitin e Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Ne do ta mbrojmë e do ta mirëmbajmë. Muzaqi u zotua po ashtu se do të vendosen kritere në punësim, për shëndetësi cilësore, përfshirje të qytetarëve në vendimmarrje, shërbime cilësore komunale, ujë të pijshëm për gjithë banorët, mbështetje për sportin e kulturën, përkrahje të bujqësisë dhe strehim të famijeve të pastreha.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme