Zgjedhjet lokale

Tubimi qendror përmbyllës i LDK-së, në ora 19:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) njofton gjithë anëtarësinë dhe qytetarët e vendit, se sot në ora 19:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti” mbahet manifestimi qendror përmbyllës i fushatës për zgjedhjet e së dielës, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net .

Në këtë tubim janë të ftuar të gjithë qytetarët ku do të marrin pjesë strukturat drejtuese të LDK-së, kandidatët për kryetarë komunash dhe kandidatët për asamble komunale.

Gjatë një muaji fushatë, LDK ka mbajtur me qindra takime në gjithë vendin, ku në mënyrë të detajuar është prezantuar Platforma e LDK-së për Qeverisje Lokale. Gjatë gjithë këtyre takimeve dhe tubimeve është vërejtur një përkrahje e fuqishme e qytetarëve për programin e LDK-së dhe kandidatëve të saj në garën e së dielës.

Platforma e LDK-së për zhvillim ekonomik lokal, e prezantuar në çdo cep të Kosovës, garanton që në katër vitet e ardhshme, në komunat e qeverisura nga LDK: të zhvillohen politika përkrahëse lokale për biznese; përmirësim të infrastrukturës urbane dhe rurale; përmirësim të shërbimeve publike; mundësi më të mëdha dhe të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët; kushte më të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme; kreditimin e jashtëm për projekte komunale; mbështetjen e bizneseve që krijojnë vende të reja të punës dhe mbështetjen e prodhimit bujqësor lokal dhe ekologjik etj.

LDK i falënderon gjithë strukturat e partisë, anëtarësinë dhe qytetarët, për një garë dinjitoze në të cilën u prezantuan oferta konkrete për secilin komunë, lagje dhe fshat, veç e veç.

LDK i fton anëtarësinë dhe gjithë qytetarët që të përqafojnë Platformën e saj për qeverisje lokale, të votojnë numrin 47 dhe të dalim sa më masovisht në zgjedhje.

Për zgjedhjet e së dielës, të gjitha strukturat e partisë janë të mobilizuara, që konform ligjit, të garantojnë një proces zgjedhor fer dhe demokratik, ku do të ruhet dhe garantohet vota e qytetarëve.

LDK i fton edhe subjektet tjera politike që të sillen konform rregullave të procesit zgjedhor, për të garantuar që vota e sovranit të jetë e sigurt dhe procesi zgjedhor të jetë transparent dhe demokratik.