Gara më e madhe në zgjedhjet lokale i përket Prishtinës, çfarë ofrojnë kandidatët

Gara më e madhe në zgjedhjet lokale i përket Prishtinës, çfarë ofrojnë kandidatët

19 tetor 2017 22:07

Konkurrenca për zgjedhjet në komunën e Prishtinës vlerësohet si më e rëndësishmja nga partitë politike në Kosovë dhe një numër i madh i tyre janë vënë në përpjekje për të fituar postin e kryetarit të kryeqytetit.

Konkurrenca më e fuqishme për zgjedhjet komunale të 22 tetorit në Kosovë, zhvillohet në Prishtinë. Duke qenë kryeqyteti i vendit, ajo ka nxitur edhe shumë kandidatura të partive politike, raporton Zëri i Amerikës.

Kandidati i lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, i cili aktualisht e drejton komunën, thotë se qytetarët tashmë i kanë parë dy modele të qeverisjes dhe sipas tij, Prishtina më nuk do të kthehet mbrapa siç ka qenë para vitit 2013. Ai thotë se ka paraqitur 100 zotime për të përmirësuar gjendjen në kryeqytet, ndërsa kësaj radhe po kërkon votën e plotë të qytetarëve si për postin e kryetarit, po ashtu edhe për Kuvendin komunal.

“E kemi ndal korrupsionin. Nuk bëhet fjalë më për korrupsion dhe debati është a ke mundur të bësh më shumë për mbeturina, por nuk bëhet fjalë më për shembull për pushtet i cili vjedhë dhe bënë gjëra të tilla dhe i kemi filluar gjërat e mira në kryeqytet duke filluar prej ujit 24 orë, transportit publik me 51 autobusë të rinj, dyfishimin e numrit të çerdheve, ndaljen e ndërtimeve pa leje, transparencën . Sot në telefon mund të hyni dhe t’i gjeni të gjitha shpenzimet e komunës, çdo makinë e komunës e ka GPS-in që kemi kursyer 700 mijë euro e deri te programet e barazisë sociale, prej kifleve dhe qumështit për fëmijët, pagesat për rastet e margjinalizuara për shërbime të ndryshme dhe për herë të parë në Kosovë kemi dëshmu që shëndetësia publike mund të funksionojë, qendrat e mjekësisë familjare sot shtyhen me sektorin privat ku qytetarët mund ta gjejnë shërbimin, barnat e medikamentet”, tha zoti Ahmeti.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi thotë se programi tij qeverisës për kryeqytetin është i bazuar në kërkesat e qytetarëve dhe sipas tij janë identifikuar rreth 320 projekte të ndryshme që duhet përfunduar nëpër lagje të Prishtinës.

“Prandaj kemi parë fondin e punësimit, zgjerimin e zonave ekonomike, krijimin e disa zonave ekonomike të reja. Pastaj, problemet tjera janë të përditshmërisë së qytetarëve. E para që mendojmë se ka ndikim të madh edhe në ambient do të punojmë fuqishëm dhe do të ndajmë mjete, do të kërkojmë edhe donator por edhe huadhënës që të zgjerojmë sa më shumë rrjetin e ngrohjes qendrore në Prishtinë. Pastaj do të marrim veprime tjera sikurse ulja e tatimit në pronë, do të ndërtojmë spitalin e Prishtinës, diçka që është shumë e nevojshme, do të ndërtojmë shtatë shkolla që të kemi një arsim më cilësor por edhe ngadalë të dalim në arsim tërë ditor ku nxënësit do të shkojnë me një ndërrim në shkollë, do të ketë shujta të nxehta dhe aktivitete tjera në shkollë. Do të investojmë fuqishëm në bujqësi por edhe Prishtinën, karakterin turistik”, tha zoti Abrashi.

Ndërsa, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Lirak Çelaj, thotë se programi i tij tetë pikësh përfshinë që nga çështjet ekonomike e deri te gjërat më të thjeshta dhe sipas tij ky program është realist dhe i përshtatet banorit të Prishtinës. Ai thotë se çështja e trafikut është bërë e padurueshme dhe kjo do të jetë sfida e parë që duhet të zgjidhet në kryeqytet.

“Ne jemi të vetëdijshëm si kryeqytet që e kemi një ngarkesë më të madhe më shumë se komunat tjera por nuk është ndërmarr asnjë hap për ta shkarkuar sadopak për ta lehtësuar këtë trafik. Në unazën e parë do të bëhen disa pjesë të rrugës “Agim Ramadani” dhe “Luan Haradinaj” do të kthehen në rrugë njëdrejtimëshe duke ruajtur një korsi në kahen e kundërt vetëm për trafikun urban. Hapi i dytë është krijimi i parkingjeve, ne i kemi dy lloje të parkingjeve, përveç atyre që do të jenë pak më të mëdha dhe do tu shërbejnë më shumë atyre që vijnë në Prishtinë, do të jenë edhe parkingjet e kaltërta që do të jenë për rezident, do të jetë funksionalizimi i trafikut urban. Pikë tjetër do të jetë taksa hyrëse në komunën e Prishtinës që ndodh në shumicën e qyteteve të mëdha, New York, Londër, Paris, Vjenë dhe shumicën e qyteteve që kanë problem ngarkesën në publik, një taksë për t’i pakësuar makinat”, tha zoti Çelaj.

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Vllahiu, thotë se programi i tij ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve që janë trashëguar që nga përfundimi i luftës. Ai thotë se edhe pas 18 vitesh Prishtina duhet të trajtohet me emergjencë që nga infrastruktura e saj, ndërsa premton një zhvillim të hovshëm për kryeqytetin.

“Duke krijuar zona ekonomike dhe duke i dhënë mundësi prodhimit dhe punësimit në qytet. Pastaj është zhvillimi ekonomik rural i cili e shtrinë krejt zhvillimin e tij të qytetit edhe në pjesët rurale të qytetarit të Prishtinës duke përkrahur bujkun, blegtorët dhe duke i mbështetur prodhimet e tyre, pastaj duke i garantuar edhe praninë e këtyre produkteve në tregun e Prishtinës. Një gamë e çështjeve të mëdha në qytetin e Prishtinës që pamundëson faktikisht që të merremi me investimet kapitale ose me objektet kapitale në qytetin e Prishtinës për arsye se duhet ta trajtojmë qytetin që nga fillimi deri në fund dhe pas një periudhe dhe kur këto gjëra të zgjidhen dhe emergjencat të kalohen, atëherë kalojmë në një fazë tjetër e cila është faza e ndërtimit ose e investimeve kapitale për qendrat e mëdha, për qendrat e rekreacionit dhe të rinisë që janë shumë të domosdoshme”, tha zoti Vllahiu.

Fushata për zgjedhjet e 22 tetorit në Prishtinë është më e ashpra nga të gjitha komunat. Vëzhguesit thonë se kjo është e natyrshme jo vetëm për faktin se Prishtina është qyteti më i madh e më i rëndësishëm, por edhe për faktin se luan rol edhe në çuarjen përpara të programeve të partive politike në komunat tjera.

Kandidatët e partive opozitare në komunën e Prishtinës akuzojnë qeverisjen e tanishme për siç thonë degradimin e qytetit dhe mos kryerjen e punëve që i ka takuar ndërsa kryetari aktual hedh poshtë akuzat e tyre.

“Thjeshtë një katër vjeçar i humbur për aq sa janë humbur edhe vitet e mëhershme, por këto katër vjet kanë qenë të qeverisjes së një force politike ose të një subjekti politik për të cilët qyteti i Prishtinës ka qenë një kafshatë e madhe, të cilët nuk kanë pasur mundësi ta kapërdijnë marr parasysh kapacitetet e tyre dhe tani ka ardhur koha që t’i japim një zot shtëpie qeverisjes në Prishtinë, një zot shtëpie Prishtinës dhe t’i japim një forcë zhvillimeve në qytetin e Prishtinës”, tha zoti Vllahiu.

“Sepse ai më shumë është marr se kush është drejtor i ndërmarrjes “Pastrimi” se sa me punën që po e kryen dhe këtu është viktimizu qytetari i Prishtinës për çka unë besoj që nuk e ka meritu. Ai vazhdimisht qoftë me drejtorët të cilët shumica sot janë kandidatë për kryetar të komunave tjera, që flet se ai është vënë në shërbim të subjektit të tij politik duke punësuar militantë të partisë së vet, qoftë diku rreth 500 kontrata mbi vepër të cilat ai jashtëligjshëm i ka punësuar të gjithë militantët pra thjeshta ka qenë me ushqye dhe finance subjektin e tij politik”, tha zoti Çelaj.

“Ata të cilët e kanë përcjellë më me vëmendje punën e komunës ose punën e Kuvendit Komunal, ne mund të shohim dhe njehim diku rreth 70 milionë euro investime kapitale të humbura të cilat kanë qenë të buxhetuara por nuk janë realizuar dhe këto 70 milionë janë shumë, sepse aty ka edhe shkolla të reja, salla sportive, edukative, hapësira për të rinjtë, trotuare, rrugë, ndriçim e shumë gjëra tjera elementare që i duhen Prishtinës. Prandaj mendoj që kanë qenë vite të humbura me shumë propagandë por me pak punë”, tha zoti Abrashi.

“Këto partitë tjera i kemi parë tashmë. Nuk e mbulon faktin e një partie një kandidatë në moshë të re, sepse nuk ka të bëjë me moshën e re por ka të bëjë me mendësinë e re në politikë. Në qoftë se është edhe një kandidat i ri dhe përfaqëson gjithçka që ka përfaqësuar partia dhe deri në 2013 ne e kemi parë Lidhjen Demokratike të Kosovës të cilët ende vazhdojnë të premtojnë metro për Prishtinën, këto janë shaka. Ne përballemi me ujin e pijes, 50 për qind e Prishtinës nuk ka kanalizim, pastaj transporti publik; u gëzuam për 51 autobusë dhe po flasim për gjëra minimale për ta kthyer qytetin në jetë normale. Ata mund të kritikojnë dhe si duket janë krejt bashkë që ta pengojnë rritjen e lëvizjes Vetëvendosje sepse Prishtina është e domosdoshme dhe ka ndikim shumë të madh në komunat tjera, prandaj janë edhe të gjithë bashkë i madh e i vogël për ta sulmuar lëvizjen Vetëvendosje dhe mua si kryetar”, tha zoti Ahmeti.

Me gjithë kundërshtitë, kandidatët e partive politike pajtohen megjithatë në një çështje, në domosdoshmërinë e rritjes së investimeve për të lehtësuar dyndjen e madhe të qytetarëve nga komunat tjera drejt Prishtinës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme