Zgjedhjet lokale

Hoti “shpall fitoren” në Rahovec

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë të enjten në Rahovec se Ibrahim Kryeziu pas 22 tetorit do të jetë kryetar i kësaj komune, ndërsa në pranverë LDK-në e pret një fitore tjetër në nivel nacional.

“Programi dhe personaliteti i Kryeziut çon në fitoren bindëse në Rahovec. Përveç kandidatit për kryetar, ne i kemi të mrekullueshëm edhe kandidatët për asambleistë, të cilët kanë punuar shumë. Ne qysh sonte do ta shpallim fitoren në Rahovec”, është shprehur Hoti.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pret që fitorja e LDK-së të jetë e padiskutueshme, duke marrë parasysh përkrahjen e madhe që po e gëzon.

“Rahoveci e meriton një kryetar që e kryen detyrën me ndërgjegjen më të madhe dhe i tillë është Ibrahim Kryeziu. Ne kemi lëvizur anekënd Kosovës dhe kudo që kemi shkuar, kërkesë e njerëzve ka qenë udhëheqja e vendit nga LDK-ja, sepse ata e kanë vërejtur se në nëntë komunat që kemi qeverisur, nuk e kemi pasur asnjë aferë, asnjë skandal dhe kemi arritur rezultate shumë të mira”, ka theksuar Mustafa, duke shtuar se LDK-ja po manifeston vlera demokratike, evropiane, të trashëguara nga presidenti historik, Ibrahim Rugova.

Kandidati për kryetar të Rahovecit, Ibrahim Kryeziu tha se ne jemi Lidhja, lidhja që sa herë vendi ka pasur nevojë jemi lidhur me besa-besë për ta bërë shtetin ligjor, për ta fuqizuar demokracinë.

Kryeziu ka falënderuar qytetarët për përkrahjen e madhe, ashtu sikur edhe zyrtarët e lartë të LDK-së.

“Zotohem para jush se ne do ta përfundojmë palestrën sportive, e cila tash e dhjetë vjet ka mbetur e papërfunduar, do ta bëjmë zonën industriale, në të kundërtën do të jap dorëheqje”, tha ai.

Kryeziu potencoi se do ta bëjmë inkubatorin e biznesit, do të kemi zhvillim ekonomik, do të ndajmë subvencione dhe grante për bujqit, do të kemi punë provuese me pagesë për të gjithë ata që e përfundojnë studimet, do të japim bursa, do të themelojmë një Fond për mbështetjen e bizneseve fillestare, do të ndërtojmë shkolla aty ku ka nevojë, do t’i pajisim shkollat me laboratorë e kabinete, do ta instalojmë ngrohjen qendrore në çdo shkollë, e mbi të gjitha do të rrisim cilësinë e arsimit.

“Plani ynë parasheh ta ndërtojmë objektin e ri të mjekësisë familjare, do ta kemi shërbimin e emergjencës, do ta kemi ekipin mobil, do të ndërtojmë 5 deri 10 shtëpi për familjet skamnore dhe Rahovecin do ta bëjmë me shesh”, ka premtuar Kryeziu.