Rreth 170 mijë euro gjoba për partitë që thyen rregullat, prin LDK-ja

19 tetor 2017 19:25

Vetëm brenda 6 muajsh, arka e shtetit nga dënimet në fushata zgjedhore mbushet me më shumë se gjysmë milioni euro.

Rreth 350 mijë euro ishin dënimet që PZAP-ja u kishte shqiptuar partive politike në zgjedhjet e 11 qershorit vetëm për 10 ditë fushatë, ndërsa rreth 200 mijë euro janë dënimet që ky organ iu ka shqiptuar partive politike në këtë fushatë për zgjedhjet lokale, raporton KTV.

Vetëm edhe një ditë u ka mbetur fushatë partive politike, ndërsa për këtë periudhë me më së shumti dënime renditet LDK-ja.

Partia e Isa Mustafës do të paguajë gjobë për shkelje të rregullave zgjedhore 67 mijë euro. E dyta është partia e Kadri Veselit me më shumë se 26 mijë euro. E treta është Vetëvendosje me 22 mijë euro. Pas saj vjen partia e kryeministrit Ramush Haradinaj me më shumë se 13 mijë euro.

AKR-ja e Pacollit do të paguajë gjobë mbi 18 mijë e 500 euro, ndërsa Alternativa 13 mijë euro. Nisma për Kosovën e KDTP-ja do të paguajnë nga rreth 3 mijë euro, ndërsa me më pak janë gjobitur parti të tjera, përfshirë edhe Listën Serbe.

Kryesuesi i PZAP-së, Mul Desku, ka thënë se nëse partitë nuk i paguajnë borxhet brenda afatit që do të përcaktojë PZAP-ja, atëherë do të ketë dënime të tjera për ta.

Më së shumti ankesa për shkelje të rregullave zgjedhore nga partitë në PZAP ka deponuar Vetëvendosje, e këtë e quan të mirë Florent Spahija i KDI-së, që thotë se partitë janë bërë gardiane të ligjit.

Spahija ka thënë se në këtë fushatë zgjedhore ka vazhduar shfrytëzimi i resurseve shtetërore për fushatë, si dhe pjesëmarrja e fëmijëve në tubimet e partive politike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme