Mustafa: Të dielën përfundon qeverisja e keqe kur Baxhaku zgjidhet kryetar i Prizrenit

Mustafa: Të dielën përfundon qeverisja e keqe kur Baxhaku zgjidhet kryetar i Prizrenit

19 tetor 2017 19:12

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të enjten në Prizren se më 22 tetor qytetarët do t’i japë fund qeverisjes së keqe në Prizren, duke e zgjedhur Hatim Baxhakun kryetar të qytetit të traditës e të kulturës, qytetit të tolerancës e të mirëkuptimit.

“Kirurgu Hatim Baxhaku, me ndihmën e kandidatëve më profesionalë e më të përgjegjshëm për asamblistë dhe me programin e LDK-së, do ta shërojë Prizrenin nga plagët që ka marrë prej qeverisjes së papërgjegjshme e korruptive”, ka thënë Mustafa.

Ai ju ka bërë thirrje komuniteteve turke dhe boshnjake që t'i bashkojnë votat me LDK-në, sepse askush më shumë sesa LDK-ja nuk i respekton komunitetet dhe gjithë qytetarët dhe kjo është dëshmuar edhe me qeverisjen e LDK-së në nivel qendror.

Kryetari i LDK-së la thënë se me qeverisjen e Baxhakut, Prizreni do ta bëhet qytet model i zhvillimit e integrimit, qytet i vlerave evropiane.

“Na duhet vetëm edhe pak angazhim për ta shpëtuar Prizrenin nga katrahura. Dilni të gjithë në zgjedhje, ta shndërrojmë 22 tetorin në datë të kthesës historike për Prizrenin. Ndëshkoni me votë ata që qeverisën keq. Mos i pranoni anarkistët e hipokritët. Zgjidhja më e mirë për Prizrenin është Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Hatim Baxhaku”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se LDK-ja do të fitojë në shumicën e komunave të Kosovës, sepse LDK-ja do të jetë partia më e madhe politike e Kosovës.

“Në të gjitha tubimet e takimet me qytetarë të Prizrenit dhe komunave tjera të Kosovës, kësaj here kemi vërejtur një nevojë të tyre për t’u udhëhequr nga LDK-ja. Të gjitha matjet tregojnë se LDK-ja po kthehet fuqishëm si partia më e madhe politike e Kosovës”, tha kreu i LDK-së.

Ai pohoi se LDK-ja po kthehet fuqishëm sepse qytetarët e Kosovës tashmë e dinë se vetëm LDK-ja qeveris ndershëm e me përgjegjësi, pa korrupsion e pa diktat.

“Kryetari Hatim Baxhaku dhe ekipi i tij janë të vendosur për ta kthyer në Prizren qeverisjen e mirë, transparente dhe zhvillimore të Prizrenit. Pushteti lokal i Prizrenit do të qeveriset nga LDK-ja dhe do të jetë qeveri lokale e të gjithë qytetarëve, të cilëve do t’u shërbejë, pa asnjë dallim. Ne i mbajmë premtimet. Ne qeverisim me duar të pastra, ne ia sigurojmë Prizrenit perspektivën dhe dinjitetin që e meriton. Prandaj ju kërkoj që më 22 tetor të dilni të gjithë në zgjedhje, pa u hamendësuar”, shtoi Mustafa.

Mustafa ju ka bërë thirrje banorëve të Prizrenit dhe gjithë Kosovës që të dalin të dielën në zgjedhje dhe tu japin përgjigjen që meritojnë komplotistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, atyre që më shumë se gjithçka tjetër, u pengon Lidhja e LDK-së me qytetarin e Kosovës, Dardanisë Antike, siç thoshte Presidenti Rugova.

“Kështu ju ia shkurtoni jetën edhe qeverisjes amatore në Prishtinë. Sepse është qeveri e dëmshme për Kosovën dhe qytetarët e saj. Sepse e izolon Kosovën dhe qytetarët e saj. Lidhja jonë është e vendosur t’i heqë nga qeverisja me Kosovën dhe të mos i lejojë ta qeverisin asnjë komunë: amatorët, lakmitarët, zhvatësit, kapësit dhe zjarrvënësit e Kosovës”, nënvizoi kryetari i LDK-së.

Kandidati i LDK-së për Prizrenin, Hatim Baxhaku, ka thënë se gjatë fushatës elektorale, ai dhe ekipi i tij kanë vizituar çdo pjesë të qytetit dhe të gjitha komunitetet e grupet e interesit. “Programi ynë hasi në mbështetje të madhe, sepse ofron kthesën dhe ndryshimin radikal në qeverisje. Ndryshime që nënkuptojnë shkëputjen me korrupsionin, kriminalitetin, nepotizmin, injorancën, arrogancën, papërgjegjësinë dhe mungesën e llogaridhënies”, është shprehur Baxhaku.

Ai ka shtuar se Prizreni është qytet i gërshetimit të kulturave të ndryshme dhe tolerancës ndërmjet tyre. “Në Prizren bashkëjetojnë në harmoni lindja dhe perëndimi, fshati dhe qyteti, besimet dhe kulturat e ndryshme, qyteti i trashëgimisë kulturore e materiale, i artizanateve të vjetra dhe filigranit, i arsimit e shëndetësisë, i sportistëve me renome, i figurave eminente të artit, i bujqve punëtorë e të ndershëm”, ka theksuar Baxhaku, duke shtuar se Prizreni ka nevojë t’i kthehet ai identitet dhe salla e stërmbushur dhe e stolisur me flamuj të Dardanisë e të presidentit historik Ibrahim Rugova, janë sinjali më i mirë se ai epitet do të kthehet.

“Prizreni ka nevojë për një kryetar që punon dhe është i përgjegjshëm për obligimet e tij. Deri tani kishim një kryetar që e shihnim vetëm kur dilte para gjykatave së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Prizreni ka nevojë për një kryetar që drejton komunën për të mirën e përgjithshme të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Baxhaku.

Ai ka shtuar se kryetari në shkuarje ishte vetëm një hije, ndërsa vendimet i merrnin të tjerët. “Prizreni ka nevojë për një kryetar që kujdeset për imazhin e komunës sonë, ndërsa kryetari dhe qeverisja e deritashme angazhimin e tyre e demonstronin vetëm në festat e fundvitit, kur punëtorëve u jepnin nga 100 euro. Prizreni ka nevojë për një kryetar që komunën e sheh si një qendër në shërbim të qytetarëve”, ka përfunduar Baxhaku.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme