Haradinaj: Suhareka do të bëjë “lum” me Muharremajn

Haradinaj: Suhareka do të bëjë “lum” me Muharremajn

19 tetor 2017 18:35

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se në qeverisjen e tij po ndodhin shumë zhvillime për vendin dhe po punohet për të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie politike.

Ai në përmbyllje të fushatës zgjedhore në Therandë, ka kërkuar votën e qytetarëve për kandidatin, Bali Muharremaj, për të cilin tha se do të punojë për të mirën e tyre në të gjitha sferat e jetës.

Haradinaj tha se është i bindur se përpos që ka për të bërë ‘lum’ Theranda, po ashtu do të bëjnë ‘lum’ edhe të gjithë ata që do të kenë punë në këtë komunë.

“Besoni të drejtës së juaj, besoni vetes dhe merrni udhëheqjen e Therandës me Bali Muharrmej për ta punuar bashkë. Bali Muharremaj, kryetar i komunës, njeri kompetent, njeri punëtor, besnik e i fjalës dhe shumë i përgjegjshëm. Ata që i keni në listë dhe i shihni, bijat dhe bijtë e juaj dhe njerëzit e këtij vendi jeni ju. Andaj, nëse besoni në të drejtën, jam i bindur se përpos që ka me bërë ‘lum’ Theranda, kanë me bërë ‘lum’ të gjithë ata që kanë punë me ju. Unë po i pres edhe pak ditë, Blerim, derisa të përfundojnë zgjedhjet, sepse disa prej juve s’kam qare pa i marrë në Prishtinë”, tha Haradinaj, përcjell ksp.

Kandidati për kryetar Bali Muharremaj tha se është i bindur se me qeverisjen e tyre Suhareka do të jetë komuna me një ekonomi dhe bujqësi më të zhvilluar, me një ambient të pastër dhe gjelbër, me rrugë dhe trotuare të ndërtuara, si dhe me shërbime publike adekuate.

Ai ka premtuar përkrahje për bujqit dhe bizneset, si dhe rritje të vendeve të reja të punës.

“Me një program të veçantë synojmë ta krijojmë 400 vende të reja të punës në shëndetësi dhe mirëqenie sociale. Jam i bindur se në Therandën time administrata komunale do të shërbejë shpejt dhe në mënyrë efikase, si dhe e barabartë për të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie politike. Jam i bindur se të qenit bujk dhe marrja me bujqësi, ka kuptim, për shkak se përkrahja nga komuna do të jetë me plot kuptimin e fjalës. Dhe mu në këtë lami zotohem të arrijmë 310 vende të reja të punës. Do të ketë risi për herë të parë bujqit e Therandës nuk do të vijnë më në komunë, por komuna do të shkojë nëpër fshatra për t’iu ndihmuar. Jam i bindur se në fuqizimin e zonave ekonomike dhe në mbështetje të vazhdueshme të bizneseve ekzistuese, dhe atij që do të vijë, do të jemi në gjendje që gjatë mandatit tim të hapen së paku 500 vende të reja të punës”, tha Muharremaj.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme