Zgjedhjet lokale

Vetëvendosje në Gjilan kërkon të votohet masivisht për Kurteshin

Në tubimin zgjedhor të Vetëvendosjes në Gjilan, Kryetari Visar Ymeri është shprehur i bindur që nga salla ku sot ishin mbledhur, do të dalin fitimtarë, duke përmendur rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Në këto zgjedhje këtu në Gjilan i keni disa kandidatë për kryetar. E keni Sami Kurteshin e Vetëvendosjes. E keni Lutfi Hazirin e PDK-së. Më falni të LDK-së. Njëjtë gabova edhe para 3 netëve në një tubim në Gjilan. U çu njëri pjesëmarrës e më përmirësoi, tha që Luta është i LDK-së e jo i PDK-së. Se di... Luta është i LDK-së aq sa është Elmi Reçica i PDK-së. Këta të dy janë të ShIK-ut”, ka thënë Ymeri në këtë tubim.

“Samiu ka qenë i burgosur politik, është bërë aktivist i të drejtave të njeriut, është zgjedhur avokat i popullit, është zgjedhur deputet i popullit. Tash po bëhet kryetar i qytetarëve të Gjilanit. Luta ka qenë zëvendëskryeministër i Thaçit, është bërë deputet, është bërë kryetar i Gjilanit, e qe besa i duhet ta gjejë një avokat të mirë për ta shpëtuar nga burgu për keqpërdorimet e korrupsionin. Nuk e di të ketë një avokat çudibërës në Kosovë”, ka thënë me tej Ymeri.

Ymeri ka thënë po ashtu se Sami Kurteshi e do Gjilanin, me mendje e me zemër, me ç’rast iu ka thënë qytetarëve të Gjilanit që ta votojnë sa më masivisht.

Në fjalimin para gjilanasve, deputetja nga ky qytet, Besa Baftiu, ka thënë se me 22 tetor do të marrë fund qeverisja e Lutfi Hazirit, të cilin e ka quajtur mik të Hashim Thaçit, duke i cilësuar të dy përgjegjës për decentralizimin dhe gjymtimin e territorit të Gjilanit dhe për krimin e organizuar.

“Tanimë ka ardhur koha që Gjilanit të ndarë, të privatizuar, pa arsim e shëndetësi cilësore, pa ekonomi e pa prodhime vendore t’i kthehet dinjiteti qe e meriton dhe perspektiva që ua garanton vetëm Lëvizja Vetëvendosje, me Sami Kurteshin, kryetar të komunës së Gjilanit”, ka thënë Baftiu në këtë tubim.

Më tej, ajo ka thënë se 20 zotimet për këtë komunë përbëjnë platformën e cila e nxjerrë Gjilanin nga gjendja ku është katandisur. Baftiu i ka quajtur mashrues kanidatët e tjerë, kurse ka thënse se me qeverisjen e Kurteshit, do të ua kthejmë dinjitetin mësuesve dhe profesorëve, nxënësve dhe studentëve, pacientëve dhe mjekëve, nënave dhe fëmijëve, te moshuarve dhe të rinjve, bujqve dhe fermerëve, ndërmarrësve dhe bizneseve, te papunëve dhe punëtoreve, sportistëve dhe aktorëve.

“Këtyre të sloganit ‘Forca e ndryshimit’ nuk ju ka mbetur forcë as për ndryshim as për vazhdim sepse populli iu tregojë se sa te dobët janë me 11 qershor. Këta që në slogan kanë vendosur “Lidhja”: ju qytetarë të nderuar e dini se lidhja me ta është lidhja me keqpërdorimin, lidhja me ta është lidhja me nepotizmin, lidhja me ta është lidhja me krimin, lidhja me ta është lidhja me dështimin, lidhja me ta është lidhja me Hashimin”, ka thënë po ashtu Baftiu në këtë tubim.

Në tubimin zgjedhor përmbyllës në Gjilan, deputeti Albin Kurti ka thënë se Gjilani duhet të dëshmohet edhe me 22 tetor siç ka ditur gjithnjë, e kësaj radhe duke e votuar për kryetar Sami Kurteshin. Ai ka thënë se kur në Gjilan nuk ka pasur sundim, ka pasur keqqeverisje.

Kurti e ka quajtur Lutfi Hazirin kumbarë të decentarlizimit mbi baza etnike, duke e akuzuar për dëmtimin e bashkëjetesës ndëretnike dhe rritjen e ndikimit të Serbisë në rajonin e Anamoravës.

“Midis Gjilanin e Bujanovcit, Lutfi Haziri e futi Ranillugun. Midis Gjilanit e Preshevës ai e futi Parteshin. Gjilanit ia hoqi çerekun e territorit. Prandaj, të dashur qytetarë, dënojeni me numrin 10, në ditën e gjykimit, me 22 tetor”, porositi Kurti gjilanasit.

Ndërsa, për kandidatin e PDK-së, Zenun Pajazitin, Kurti tha se nuk mund të bëhet kryetar. Madje, ai ironizoi me të duke e quajtur “korrier të shefit të shefave” e “kasnec”.

Më tej, Kurti ka thënë se kryetar i Gjilanit do të jetë Sami Kurteshi, e për të tha se ka mendjen e thellë dhe zemrën e madhe. Pastaj, Kurti u zotua se me qeverisjen e Sami Kurteshit, kalohet nga injoranca tek dija, nga uzurpimi tek çlirimi, nga frika tek guximi, nga mashtrimi te besa, nga dëshprimi tek shpresa dhe nga indeferenca te dashuria.

Kandidati për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi, është ndjerë i entuziazmuar me pjesëmarrjen e qytetarëve në tubimin përmbyllës të Vetëvendosjes në këtë komunë. Në fillim të fjalës ai i është drejtuar rinisë, duke thënë se gjëja më e rëndësishme që ata bëjnë është ajo çfarë lënë si gjurmë në shoqëri.

“Me lejoni të ndajë me ju diçka nga gjërat që kam mësuar gjatë përvojës sime politike. E para dhe më e rëndësishmja në gjurmën e jetës tuaj,duhet të jetë besimi i thellë te dinjiteti juaj personal, te vlera e secilit prej jush si njeri. Mos lejoni që dikush t’ju bëj të ndiheni sikur s’keni vlerë e sikur jeni askushi. Besoni dhe ndjeni gjithnjë që keni vlerë të madhe dhe dinjitet. Dhe se jeta juaj ka domethënie dhe kuptim“, ishte porosia e Kurteshit për të rinjtë, duke përmendur tutje edhe rëndësinë e vendosmërisë e përkushtimit.

“Jeta është lëvizje. Po nuk vrapuat dot, atëherë duhet të shkoni para duke ecur.

Bëni gjithçka për të mos qëndruar në vend numëro. Bëni ç’të mundi që të lëvizni për ta çuar përpara veten dhe shoqërinë. E kur të lëvizni do të shikoni se nuk jeni vetëm. Se bashkë me ju po lëvizin shumë të tjerë. Të rinj e të moshuar, burra e gra, djem e vajza, anekënd dhe me vendosmëri. Këta janë njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje, që lëvizin për kombin shqiptar dhe për Kosovën. Kjo është lëvizja që Gjilani jonë pret me padurim më 22 tetor“, ka thënë më pas Kurteshi.

Kurteshi tutje ka theksuar se qytetarët kërkojnë punësim, kurse u zotua se qeverisja e tij nuk do të kujdeset vetëm për punësim, por edhe mbrojtje të punëtorëve dhe respektimin e të drejtave dhe dinjitet të tyre.

“Ne do të ndërtojmë çerdhe të reja për edukimin, shoqërimin dhe përgatitjen e fëmijëve për shkollim. Librin, mësimin, edukimin e bibliotekën do t’ia kthejmë shkollës, e shkollën nxënësve. Shkollën do ta bëjmë mësonjëtore të lirisë së mendimit, dhe jo ta mbyllim atë në grila. Ne nuk do të lëmë asnjë fëmijë të qëndrojë i uritur në bankat e shkollës. Por edhe do ua heqim politikanëve të papërgjegjshëm drekat luksoze. Fëmijëve të vegjël do t’ua sigurojmë transportin për në shkollë. Por, pushtetarëve zhvatës do ua heqim limuzinat e shtrenjta. Ne do ta bëjmë Mjekun mësuës në shkollë, për të mos e detyruar mësuesin të bëhet mjek në shkollë”, kanë qenë disa nga zotimet e shpalosura nga Kurteshi në këtë tubim.