Ymeri e sheh kandidatin e VV-së kryetar pa balotazh në Viti

Ymeri e sheh kandidatin e VV-së kryetar pa balotazh në Viti

19 tetor 2017 14:33

Në tubimin zgjedhor në Viti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se Vitia vendos vetë e për këtë është me Vetëvendosjen, dhe se ajo vendos drejt, prandaj e ka votuar Vetëvendosjen.

Ymeri në këtë tubim ka pasur fjalë të mëdha për kandidatin për kryetar të Vitisë, Salih Salihun, për të cilin ka thënë se ai ka qenë zëri më i fuqishëm i Vitisë në kuvend. Ymeri e ka quajtur profesor e deputet të shkëlqyeshëm, duke shtuar se ai është i pakrahasueshëm me kundërkandidatët si për nga niveli intelektual, edhe për nga integriteti moral, por edhe nga angazhimi politik e qytetar

“Të trishtuar nga fitorja jonë në gjithë Kosovën, po veçanërisht këtu në Viti, pushteti filloi ta bëjë aq të di më së miri, atë që e kanë bërë çdo herë ndaj nesh, të shpifin e trillojnë. Duke qenë të vetëdijshëm për fitoren e sigurt të Salihut, kundërshtarët e tij filluan fushatë me lloj-lloj shpifje për Salihun, për ta denigruar personalitetin e tij tash e sa kohë. Por, Salihu, pas gjithë kësaj lufte sistematike të këtyre matrapazëve rrenca e shpifësa, ka marrë një vendim: porfesori Salihu do të iu përgjigjet gjithë atyre me 22 tetor, ditën kur do të zgjidhet pa balotazh kryetar i Vitisë. Kjo do të jetë përgjigjja ndaj tyre”, ka thënë Ymeri.

Më tutje, Ymeri ka thënë se teksa të tjerët shpifin e trillojnë, Salihu ka bërë gati planin për ta nxjerrë Vitinë nga gjendja e rëndë ku gjendet tash e 17 vite. Ai ka përmendur edhe zotimet e Salih Salihut për Vitinë.

Ymeri është zotuar se me qeverisjen e Salihut do të ketë administratë efikase e transparente, depolitizim të arsimit, shkolla e çerdhe të reja, shujta falas për nxënës, funksionalizm të qendrave të mjekësisë familjare, mbështetje për bujqit, ujë 24/7, rrugë e trotuare, përkrahje për kulturë e sport e mbështetje për familjet skamnore.

Deputetja Besa Baftiu ka thënë në këtë tubim zgjedhor në Viti, se e diela e 22 tetorit është rast historik për ndryshime. Ajo ka theksuar se në këtë ditë në njërën anë është prosperiteti që e mundëson qeverisja e Salih Salihut, e në anën tjetër servilizmi i partive të tjera.

Baftiu u shpreh e bindur se qytetarët e Vitisë do ta zgjedhin Salih Salihun, të cilin e quajti intelektual të guximshëm, idealist e vizionar, i cili nuk korruptohet.

”Me profesor Salih Salihun kryetar dhe asambleistët tanë shumicë në Kuvend, do t’i ndalet hovi keqqeverisjes në komunën tuaj, do të jetë një qeverisje ku mbi të gjitha do të respektohet ligji, ku do ketë zhvillim ekonomik, barazi sociale, shëndetësi dhe arsim cilësor e punësim me kritere profesionale”, ka thënë Baftiu në këtë tubim.

Më tej, deputetja ka përmendur edhe shpifjet e shumta të kundërshtarëve të Salihut ndaj këtij të fundit, për të cilat ka thënë se janë produkt i panikut. Baftiu ka thënë se qeverisja e Salihut sjell më shumë çerdhe e më shumë cilësi në arsim, shujta falas për nxënës, vizita të rregullta mjekësore në shkolla, infrastrukturë rrugore e ujë të pijshëm në të gjitha shtëpitë.

Gjatë tubimit të Vetëvendosjes në Viti, deputeti Albin Kurti ka thënë se demokracia ka lindur aty ku ka vetëvendosje. “E kur fiton Vetëvendosja, fiton popullsia, fiton Vitia, fiton Kosova e fiton gjithë shqiptaria”, është shprehur Kurti në Viti.

“Profesor i dashur, Salih, qysh tash po na mungon si deputet në Kuvend. Por, ne e dimë se shumë më tepër i mungon Vitisë që ende nuk të ka për kryetar. Ama, ditët shkuan e fitorja po vjen”, ka thënë Kurti, duke iu drejtuar Salih Salihut.

Kurti ka thënë se Vitia ballafaqohet me shumë probleme urgjente, e për këtë është urgjente zgjedhja e Salih Salihut kryetar.

Kandidati për kryetar të Vitisë, Salih Salihu, ka rikujtuar se në këtë komunë VV doli forca në zgjedhjet e fundit nacionale, dhe se që nga atëherë përkrahja është rritur edhe më shumë.

Salihu ka përmendur lënien anash të Vitisë nga qeveria qendrore e degradimin nga qeverisjet lokale. Ai ka thënë se Vitisë i duhet zhvillimi e mirëqenie, prandaj ajo ka nevojë për qeverisjen e Vetëvendosjes.

Gjatë fjalës së tij, ai ka prezantuar 20 zotimet e tij për Vitinë. Shujtat falas për nxënës të shkollës fillore, punësimet me kriter, uji i pijshëm, çerdhet e reja, shërbimet cilësore në shëndetësi, mbështetja e prodhuesve vendorë, zgjerimi i hapësirave të gjelbra, administrata transparente, kanë qenë disa nga zotimet e shpalosura.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme