Kamberi: Mitrovicasit do t’ia tregojnë vendin Bahtirit

Kamberi: Mitrovicasit do t’ia tregojnë vendin Bahtirit

19 tetor 2017 09:58

Kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Safet Kamberi, u shpreh i sigurt në fitoren e tij dhe të LDK-së në Mitrovicë.

Ai gjatë një interviste për KosovaPress ka sqaruar në detaje programin e tij për Mitrovicën, për të cilin tha se është mjaft praktik, bazohet në kërkesat e qytetarëve dhe mundësitë reale që ka Komuna.

Sipas tij, shtyllat kryesore që do të jenë në fokus të këtij programi janë, Mitrovica qytet urban dhe funksional, zhvillimi ekonomik, largimi i të gjitha taksave komunale për bizneset mitrovicase, arsimi, shëndetësia, bujqësia, pastërtia e qytetit dhe të ngjashme.

“Programi ynë është jashtëzakonisht praktik. Është i bazuar në dy elemente kryesore, e para në kërkesat reale të qytetarëve të Mitrovicës dhe e dyta në mundësitë reale që vërtetë i ka Komuna e Mitrovicës për katër vitet e ardhshme. Kjo e bënë programin tonë të realizueshëm dhe praktik. Poashtu ne këtë program e kemi mbështetur në tetë shtylla duke filluar prej Mitrovicës qytet urban dhe funksional, ku në kuadër të kësaj ne mendojmë t’i realizojmë disa prej projekteve kapitale e jetike për qytetarët e Mitrovicës, duke filluar prej transportit publik i cili do të jetësohet gjatë mandatit tonë, po ashtu vendparkingjet në komunën e Mitrovicës, në veçanti në pjesën urbane janë në telashe të mëdha, ku ne gjatë mandatit tonë do të ndërtojmë mbi 700 vendparkingje… si dhe disa projekte tjera të cilat kanë me qenë jashtëzakonisht atraktive për Mitrovicën, duke filluar prej ngrohtores së qytetit…nd ërtimi i key-it të Ibrit që do të jetë pikë jashtëzakonisht mjaft atraktive jo vetëm për qytetarët tonë”, ka thënë Kamberi.

Ai tha se krijimi i vendeve të punës nuk varet nga Komuna, por do të krijohet partneritet me biznese dhe kapitalin privat të cilat do të gjenerojnë vende të reja pune për qytetarët.

“Së paku ne mitrovicasit jemi dëshmitarë se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës nuk varet nga Komuna, sepse nëse kishte të bëjë dikush, do të bënte kryetari në ikje i cili pati premtuar 15 mijë vende pune… Ne do të merremi ekskluzivisht me çështje praktike përmes të cilave do të nxisim investitorët që të vinë në Mitrovicë dhe mos të lejojmë të dalin nga këtu dhe vërtetë kapacitetet tona si Komunë, asetet tona, të jenë në shërbim të tyre, por gjithherë kur biznesi dhe kapitali privat ka ide që të gjenerojë zhvillim dhe vende pune”, theksoi Kamberi.

Tani pothuajse në fund të fushatës, Kamberi u shpreh tejet i kënaqur me mbështetjen e qytetarëve, për çka tha se është e jashtëzakonshme dhe që në dekadën e fundit nuk është parë përkrahje e tillë ndaj LDK-së.

Ai duke u shprehur i sigurt në fitoren e tij më 22 dhjetor, tha se do t’ia kthejë krenarinë e humbur qytetarit dhe qytetit të Mitrovicës.

Kamberi ka sqaruar se pret një rivalitet mes LDK-së dhe PDK-së në Mitrovicë, derisa për kryetarin në largim Bahtiri tha se qytetari do t’ia tregojw vendin duke e dënuar me votë për të gjitha ato premtime megalomane të cilat nuk ka arritur t’i realizojë.

“Kemi mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët. Me përgjegjësi të plotë po e them, LDK-ja në dekadën e fundit nuk ka pasur ambient më të përshtatshëm dhe mbështetje më të madhe të qytetarëve se sa tash në këto zgjedhje dhe kjo është treguesi më i mirë se vërtetë kësaj radhe LDK-ja dhe unë personalisht do të dalim fitues të zgjedhjeve të 22 tetorit dhe ne do t’ia kthejmë krenarinë e humbur, ne veçanti këto vitet e fundit, qytetit dhe përfaqësimit të qytetit tonë…Unë jam më se i bindur se qytetari i Mitrovicës do t’ia tregojë vendin dhe ta dënojë me votë për të gjitha ato premtime të mëdha të cilat nuk i ka realizuar dhe unë nuk pres rivalitet nga Bahtiri, gjithmonë e kam thënë se rivalitet e kemi pasur Partinë Demokratike dhe si të tillë e shoh deri në fund të këtij procesi”, tha Kamberi.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët që më 22 tetor të dalin në numër sa më të madh për të votuar, sepse siç u shpreh, përveç se është obligim qytetar dhe akt shumë i rëndësishëm, është edhe akt human e patriotik.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme