Kafexholli: Më 22 tetor në Malishevë do të ndodhë ndryshimi i madh

Kafexholli: Më 22 tetor në Malishevë do të ndodhë ndryshimi i madh

18 tetor 2017 22:08

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur një tubim elektoral në fshatin Atrazub të Malishevës, në të cilin kandidati për kryetar të Malishevës, Sami Kafexholli ka thënë se LDK-ja në Malishevë përherë ka qenë e përkushtuar në mbrojtjen e vlerave, në ndaljen e padrejtësive ndaj qytetarëve, nuk ka heshtur kurrë ndaj shkeljeve të shumta të ligjit nga pushteti i deritashëm, prandaj më 22 tetor duhet të ndodhë ndryshimi i madh.

“Programi ynë është hartuar në harmoni me kërkesat e qytetarëve. Pushtetarët e deritashëm keqpërdorën taksat e qytetarëve, pronën publike, politizuan çdo institucion shtetëror, prandaj duhet që sa më parë të shkojnë në shtëpi. Besimi dhe vota juaj për LDK-në do të thotë jetësimi i një qeverisjeje ndryshe nga kjo aktuale”, ka thënë Kafexholli.

Ai potencoi se do të punojmë shumë në zhvillim ekonomik, administratë profesionale, arsim e shëndetësi të papolitizuar, përkrahje të madhe për bujqësi, rend, rregull, transparencë buxhetore dhe zero tolerancë ndaj krimit e korrupsionit.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se beson që kjo parti do të fitojë në Malishevë.

“Ne besojmë se një qeverisje e LDK-së i bën mirë Malishevës. E them këtë sepse ne kemi qeverisur në nëntë komuna në katër vjetët e fundit, në komunat më të mëdha, kemi qeverisur në mënyrën më të mirë, nuk kemi pasur asnjë skandal dhe në secilën prej tyre kemi arritur rezultate të mira”, është shprehur kreu i LDK-së.

Ai ka theksuar se përkrahja e madhe për LDK-në është shumë e madhe dhe kjo është vërejtur në Podujevë, Gjilan, Pejë, Viti, Lipjan, Fushë Kosovë dhe shumë komuna tjera.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme