Haskuka: Me mua kryetar, Prizreni do të jetë vend i barazisë e i bashkëjetesës Foto: Ilustrim

Haskuka: Me mua kryetar, Prizreni do të jetë vend i barazisë e i bashkëjetesës

18 tetor 2017 21:55

Kandidati i VV-së për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë gjatë tubimit përmbyllës në këtë komunë se ndryshimi është shumë afër, për çfarë i ka uruar bashkëvendasit.

“Prizrenit i duhet shumë ndryshimi, por i duhet ndryshimi i vërtetë e jo ndryshimi në slogan. Ata që uzurpuan e që keqmenaxhuan nuk janë ndryshimi, nuk mund të jenë ndryshimi ata që kanë qeverisur me drejtor të akuzuar dhe të dënuar. Ata nuk janë as fillim i ri, e as mision i ri, e aq më pak forcë për ndyshim. Ata mund do të kenë fillim të ri, por jashtë komunës së Prizrenit. Mbasi që komunën e shndërruan në biznes, ne do të ju japim mundësi që ata vërtetë të bëjnë biznes, por vetëm jashtë komunës, pra do të ju japim mision të ri që të fillojnë nga e para që të zhvillojnë bizneset e tyre por pa paranë publike. Ata së pari do ta kthejnë pronat e uzurpuara e pastaj mund të fillojnë nga e para”, ka thënë Haskuka.

Më tej, ai tha para prizrenasve se Prizreni ka humbur fabrikat dhe prodhimtarinë, ka humbur artizanatet dhe tregtinë, dhe se çdo ditë e më tepër po e humb trashëgiminë e kulturën. Për këtë ai akuzoi gjitha qeverisjet në Prizren.

Në tubimin zgjedhor përmbyllës në Prizren, deputeti Albin Kurti ka thënë se kjo komunë do të dalë faqebardhë nëse zgjedh për kryetar Mytaher Haskukën. Për këtë ai ftoi që me 22 tetor të ketë dalje masive në zgjedhje, që fitorja e Haskukës të jetë sa më e fuqishme.

“Mytaheri është profesor e akademik, studiues e hulumtues, aktivist e humanist, deputet e atdhetar, që me 22 tetor, ju Prizreni do ta bëni kryetar. Nga Prizreni në Prishtinë, nga Stambolli i Turqisë në Munih të Gjermanisë, Mytaheri është thelluar me mendje dhe është lartësuar me zemër, është kalitur e është përgatitur, për ta votuar ju, për të fituar ai, për të punuar ai, për të fituar ju”, ka thënë Kurti, teksa ka folur për Haskukën.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme