Zafir Berisha: Nisma, forca e vetme që sjell ndryshime në Prizren

Zafir Berisha: Nisma, forca e vetme që sjell ndryshime në Prizren

18 tetor 2017 18:54

Slogani i Nisma vjen si domosdoshmëri që sjell koha dhe koha ka ardhur për Nismën. 22 tetori do të jetë dita e perspektivës së Prizrenit dhe numri 31 i kësaj partie sjell vizionin për një jetë më të mirë për qytetarët e kësaj komune.

Kështu u tha sonte në tubimin përmbyllës të Nisma për Kosovën në Prizren, ku janë prezantuar kandidatët e kësaj partie për asamble komunale për komunën e Prizrenit.

Kandidati për kryetar të Nisma për Prizrenin, Zafir Berisha, ka thënë se ekipi i tij është forca e vetme në komunën e Prizrenit që mund të ndryshojë gjendjen aktuale në Prizren, e cila është krijuar nga qeverisja e deritanishme.

“Nisma për Kosovën ka për synim ta atakojë fenomenin tepër shqetësues jo vetëm për Prizrenin, por edhe për Kosovën, e ai është papunësia, ku ne kemi në program zbutjen e papunësisë, duke krijuar dy zona ekonomike, ku mendojmë që investuesit e huaj të investojnë përmes ndërmarrjeve prodhuese dhe t’i punësojmë qytetarët e Prizrenit, për të krijuar mirëqenie sociale në komunën tonë dhe kjo është alfa dhe omega jonë për katër vjetët e ardhshme. Ekipi i Nismës do të angazhohet për të ngritur përgjegjësitë në administratë, shëndetësi dhe depolitizimin e këtyre mekanizmave dhe sot qytetarët e Prizrenit llogariten si njerëz të klasës së dytë, pasi që partia në pushtet kanë punësuar njerëz që nuk e kanë idenë për pozicionin e tyre”, ka thënë Berisha.

Ai tha se pronat e uzurpuara do të lirohen dhe do t’iu kthehen qytetarëve të Prizrenit, ndërsa të gjithë ata që e kanë uzurpuar qytetin në fushën e urbanizmit do të japin përgjegjësi para organeve të drejtësisë.

“Ju garantoj si kryetar i komunës do të mbështes të gjitha projektet në bashkëpunim me institucionet , në mënyrë që qytetarët të jetojnë të sigurt. Këtë do ta bëjmë, sepse duke siguruar siguri, krijojmë të ardhmen e sigurt për fëmijët tanë”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se gjatë qeverisjes së tij Prizreni do të reflektojë për të mirë dhe se kjo do të arrihet me mbështetjen e qytetarëve, ndërsa Nisma për Kosovën do t’i rikthejë identitetin Prizrenit, që është nëpërkëmbur nga njerëz të papërgjegjshëm.

Berisha ka bërë thirrje për dalje masovike në zgjedhjet e 22 tetorit, në mënyrë që Nisma të shënojë fitore, për të sjellë ndryshimet pozitive për komunën e Prizrenit në katër vjetët e ardhshme.

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se qytetarët e Prizrenit nuk kanë kohë për të humbur, pasi që më 22 tetor koha është për Nismën dhe Zafir Berishën si kandidati i saj për të parin e komunës.

“Prizreni është në një moment të rëndësishëm, politik e historik, në një moment kur duhet t’iu kthehet qytetarëve të vet. Ky qytet emblemë e të gjithë kaluarës sonë, sot iu ka kthyer qytetarëve të saj dhe ka një kërkesë. Si do të sillen qytetarët e Prizrenit me qytetin e tyre. Qytetari bën thirrje ata që kanë çuar një jetë të rërë, kanë shërbyer, i kanë dhënë emër, kanë jetuar dhe jetojnë në këtë vend, sot qyteti juaj kërkon të merrni vendimin e drejtë. Kush do ta qeverisë Prizrenin për katër vjetët e ardhshme. Kultura e Prizrenit, sporti i Prizrenit, të rinjtë e Prizrenit e kanë një thirrje. Prizreni duhet të trajtohet përfundimisht nga qytetarët e Prizrenit dhe për t’i dhënë drejtimin e duhur këtij qyteti që i ka munguar aq shumë dhe që e meriton aq shumë. Dhe nga ju të nderuar miq pritet vendimi më 22 tetor kujt do t’ia jepni në dorë qeverisjen e qytetit tuaj”, ka thënë Limaj.

Ai ka thënë se Prizreni ka nevojë t’i kthehet vlera e artizanëve, të cilët kanë qenë krenaria e ekonomisë kosovare, dhe po ashtu ka nevojë që t’i kthehet ekonomia për zhvillimin e qytetit, për t’iu ofruar të rinjve mirëqenie më të mirë.

“Me Zafir Berishën do të ndryshojnë gjërat për Kosovën. Prizreni ka nevojë për kryetar të guximshëm dhe të urtë, Prizreni ka nevojë për kryetar që ofron njerëzit e drejtë. Prizreni ka nevojë që i bashkon njerëzit pavarësisht bindjes politike dhe jo ai që i ndëshkon”, ka thënë Limaj.

Kreu i Nisma tha se projektet e kësaj partie do të sjellin ndryshme për të mirën e qytetarëve, pa dallime politike dhe etnie

Komentet

Shto koment

Të ngjashme