Limaj: Vendit duhet t’ia kthejmë dinjitetin

Limaj: Vendit duhet t’ia kthejmë dinjitetin

18 tetor 2017 18:13

Ferizajt dhe gjithë Kosovës duhet t’i kthehet optimizmi dhe dinjiteti. Kështu tha lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në tubimin e partisë së tij në Ferizaj.

Në këtë takim ku ishin të mbledhur edhe njerëzit e kulturës së këtij qyteti, u tha se kultura e cila nuk është aty ku duhet të jetë meriton përkrahje me të madhe. E Limaj në Ferizaj tha se ky është një qytet i kulturës, ekonomisë dhe mendjes së hapur. Ndërsa pohoi se Kosova i ka borxh njerëzve të kulturës, të cilët kanë mbajtur gjallë shpirtin e këtij populli.

Limaj tha se Kosova ka nevojë për njerëz që ofrojnë projekte, ide dhe më shumë se çdo gjë, ka nevojë me kthyer optimizmin tek njerëz tanë.

“Ajo çka ne po mendojmë se duhet bërë dhe si program dhe projekt që kemi është kjo, kalimi nga faza e mbijetesës në kalimin e një zhvillimi të fuqishëm ekonomik në të gjithë sektorët e vendit tonë. Si bëhet, bëhet dhe në kuptimin e ndërrimit të percepcionit për shtetit. Kemi nevojë dhe marrëdhëniet sociale të ndryshojnë, kemi nevojë ta kthejmë optimizmin dhe të besojmë në shtetin tonë, shikoni djem dhe vajza, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa me besu në shtetin tonë. Ne mund të kemi telashe e mospajtime për drejtuesin në nivel lokal ose drejtuesin në nivel qendror, por asnjëherë nuk duhet ta heqim besimin nga shteti ynë. Nëse keni telashe me drejtuesin lokal zgjedhjet janë më 22 tetor dhe katër ditë, ndërroni drejtuesit lokal. Nëse keni me pas telashe me drejtuesit qendror ndërroni dhe ata, por besimin në shtet nuk duhet me humb sepse kemi përgjegjësi për gjeneratat që po vijnë.... Kthimi i optimizmit dhe dinjitetit të shtetit tonë, është gjëja më e rëndësishme, prandaj dhe disa hapa që kemi marrë dhe projeksionet që i kemi si projekte si me ecë, e kanë këtë qëllim. Kjo sterkeqje që iu ka bërë shtetit për këto vite të fundit duhet të marrë fund”, tha ai.

Ndërsa kryetarja e forumit të gruas së Nismës, Valdete Bajrami tha se Nisma do të triumfojë në Ferizaj.

“Lista e Nismës për Kosovën është më e mira këtu çka mundet me ofru qytetarëve të Ferizajt...Nisma është më e mira nga të gjithë dhe nisma do të triumfojë dhe në Ferizaj ”, tha ajo.

Besnik Berisha, kandidat i Nismës për Kosovën për komunën e Ferizajt u zotua se me ardhjen në krye të kësaj komune, artistët do ta kenë vendin e merituar.

“ Unë si kandidat për kryetar do të zotohem që artisti ose aktori të ketë vendim e merituar. Jo aktori në Ferizaj në teatër të punojë punë teknike, ai s’mundet me qenë i kënaqur kur dëshira dhe profesioni i tij është të aktroj, e jo të jetë punëtor teknik, këtë Nisma do ta rregulloj. Profesionalizimi do të jetë parim primar. Po ashtu edhe te shoqëritë e ndryshme, ne do të bëjmë subvencionimin, edhe te artistët individual, gjithashtu, po ashtu edhe te sporti dihet qysh është gjendja në Ferizaj, ku futbolli ka rënë në ligë më të ultë. Basketbolli është shuar krejt. Ndërsa hendbolli ka probleme me politikë, politika është e kyçur në kryesi të klubit”, tha ai.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme