Zgjedhjet lokale

Nisma: Kurilla si gjithnjë në mbështetje të Zafir Berishës

Descriptive Text

Nisma për Kosovën, përmes një komunikate për media, thotë se edhe lagja 7 Shtatori (Kurilla) i dha mbështetje të fuqishme “kryetarit të ardhshëm të Prizrenit Zafir Berishës, duke dëshmuar se vetëm me të, qyteti i Prizrenit me të gjitha këto vlera që i ka si qytet multietnik e multikulturor, do të ketë trajtimin meritor”.

“Kjo lagje përbën një diversitet etnish e kulturash në Prizren, andaj ne Nisma për Kosovën që në esencë kemi respektimin e vlerave njerëzore dhe solidare, do të jemi komplet të përqendruar në respektimin e vlerave njerëzore e kulturore për të gjithë qytetarët e Prizrenit pa dallim”, tha në fjalën hyrëse Zafir Berisha.

“Andaj ne këtu sot kërkojmë mbështetjen tuaj dhe do të angazhohemi kryesisht për zhvillimin ekonomik të komunës tonë. Ju garantoj se gjatë mandatit tim do të funksionalizohen dy zonat e lira ekonomike. Po ashtu të gjitha zonat e uzurpuara do t’i rikthehen qytetarëve të Prizrenit. Rrugët e zëna dhe të bllokuara do t’i kthehen qytetarëve të Prizrenit”, përfundoi fjalimin e tij Berisha.

I pranishëm në këtë tubim ishte edhe zv. kryeministri në Qeverinë e Kosovës, njëherësh kryetar i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe zv.ministri i bujqësisë, Vesel Krasniqi.

Limaj tha se Berisha mund të bëjë prerjen e së keqes që ka qenë deri më tani për të nisur kështu një fillim të ri.

“Ndryshim nuk mund të quhet vetëm ndërrimi i kandidatit për kryetar, kur mbetet i njëjti mentalitet. Ndryshim i plotë e ka kuptimin vetëm atëherë kur në qeverisje vijnë njerëzit e rinj dhe pa hipokteka, të cilët duan të qeverisin ndryshe dhe padyshim se ai ekip i ri është ekipi i Zafir Berishës”, tha Limaj.

Ai shtoi se Berisha ka nevojë për mbështetjen e qytetarëve të Prizrenit duke kërkuar që të gjithë të bëhen aktivistë për të mundësuar ndryshimin, “jo për Zafën”, siç është shprehur ai, “por për një Prizren i cili kryetari ua hap derën qytetarëve në gëzime dhe hidhërime”.

“Për një Prizren që e kthen kulturën dhe sportin në Prizren. Prandaj ju ftoj të gjithëve që më 22. tetor të votohet për Zafir Berishën dhe ekipin e Nismës në Prizren”, tha në fund Fatmir Limaj.

Në këtë takim, të pranishmëve iu drejtuan edhe kandidatët për Kuvend Komunal nga kjo lagje, Ilijaz Ilijazi dhe Erzen Musliu, të cilët kërkuan mbështetje duke kërkuar votën për ta.