Totaj: Prizreni do shndërrohet në Qendër Turistike Rajonale

Totaj: Prizreni do shndërrohet në Qendër Turistike Rajonale

18 tetor 2017 11:18

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj është deklaruar se gjatë mandatit të tij qeverisës fokus kryesor ka zhvillimin ekonomik dhe revitalizimin e qendrës historike të Prizrenit.

Si prioritet kryesor për Prizrenin, Totaj e ka zhvillimin ekonomik si dhe krijimin e fondit prej 2 milionë eurosh i cili do të përkrah zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme.

Në një intervistë për KosovaPress ai thotë se në programin e tij ka paraparë edhe plane për funksionalizimin e parkut të biznesit dhe subvencionimin e bujqësisë.

“Si një ekonomist dhe menaxher me ‘background’ pjesa kryesore do të jetë zhvillimi ekonomik dhe këtu mund të theksoj një fond prej 2 milionë eurosh që ne mendojmë ta themelojmë dhe ky fond do të krijohet nga mbledhja më e mirë e tatimit në pronë nga të hyrat vetanake që krijohen me rastin e legalizimi të objekteve të ndërtuara pa leje dhe ky fond do të përdoret për përkrahjen e zhvillimit të bizneseve të vogla dhe të mesme me ide të reja që vijnë kryesisht nga të rinjtë dhe nga gratë, po ashtu ka programe për subvencionim e bujqësisë, ka programe për funksionalizimin e parkut të biznesit”, tha ai.

Gjatë mandatit katër vjeçar pretendenti i PDK-së për të parin e Prizrenit ka për qëllim edhe revitalizimin e Qendrës Historike të këtij qyteti me qëllim që të Prizreni të shndërrohet në qendër turistike rajonale e cila do të ndihmojë zhvillimin e kulturës dhe sportit.

“Kemi plan shumë të mirë për revitalizimin e qendrës historike të Prizrenit ku planifikojmë që qendra të shkarkohet nga parkingjet e tepërta dhe të bëjmë një pjesë një pjesë të qytetit më atraktive për vizitor të ndryshëm, planifikojmë të revitalizojmë objektet e rëndësisë së veçantë që deri më tani janë identifikuar 124 objekte natyrisht të gjitha nuk do të revitalizohen për një vit, por brenda mandatit katër vjeçar së paku gjysma nga to do të revitalizohen. Kështu Prizreni të shndërrohet në një qendër turistike jo vetëm kosovare por edhe rajonale, dhe krejt kjo në planin për zhvillim të kulturës dhe sportit”, tha Totaj.

Pjesë e planit të tij është edhe krijimi i kalendarit të ngjarjeve kulturore dhe sportive brenda vitit.

Për rinjtë ai ka në plan hapjen e një qendre ku ata do të kenë mundësi t’i zhvillojnë aftësitë e tyre informative për fusha të ndryshme.

Me qëllim të avancimit në arsim, Totaj ka synim që shkollat të punojnë me një ndërrim, si dhe trajnimin e mësimdhënësve, begatimin e shkollave me kabinete dhe salla sportive.

Ai tutje ka në plan që brenda vitit të parë të ndërtojë tri çerdhe si dhe të rris sigurinë në shkolla.

“Kemi plane për avancim të arsimit dhe të shëndetësisë natyrisht aty ku kompetencat e kryetarit e komunës kanë të bëjnë me mundësinë për avancim të arsimit në komunë, ku kryesisht kisha me theksuar mundësinë për menaxhim dhe udhëheqje më të mirë të shkollës, trajnimin e mësimdhënëseve për zbatimin e kurrikulës së re, begatimin e shkollave me kabinete dhe me salla të edukatës fizike si dhe tentimin që brenda periudhës së ardhshme katër vjeçare të gjitha shkollat të punojnë në një ndërrim dhe ndërtimin e tri çerdheve brenda vitit të parë si dhe rritjen e sigurisë nëpër shkolla”, tha ai.

Për shëndetësinë ai thotë se fokusin kryesor ka ngritjen e kualitetit të shërbimeve mjekësore primare si dhe avancimin e mjekëve përmes trajnimeve të ndryshe.

Ndërsa, ai ka premtuar një shumë prej 300 eurosh për çdo nënë që lind.

Ndryshe, Totaj thotë se duke qenë një profesionist i mirë paraqet edhe një ofertë të re e cila do i jep Prizrenit një dinamikë të re në plotësimin e kërkesave të qytetarëve.

“Jam një person i ri në politikë, kam një ‘background; si profesionist i mirë, kam qenë ai i cili vazhdimisht e kam ngritur zërin kundër parregullsive sa kam qenë në sektor publik, kam treguar sukses në menaxhim të një institucioni shumë të rëndësishëm financiar siç është Administrata Tatimore, kam treguar sukses në menaxhim të sportit, kam qenë i vetmi kandidat nga Kosova i sponsorizuar qindpërqind nga State Departamenti amerikan, diplomën time e ka nënshkruar Barack Obama. Mendoj që kjo është një arsye pse qytetarët e Prizrenit duhet të më japin votën dhe besimin dhe unë mendoj që paraqes një ofertë të re e cila do t’i jep Prizrenit një dinamik të re në drejtim të plotësimit të kërkesave të qytetarëve”, tha Totaj

Ai po ashtu ka premtuar edhe banesa për rastet sociale, invalidët dhe dëshmorët e luftës.

Kandidati për kryetar të Prizrenit ka apeluar tek të gjithë kundërkandidatët që të tregojnë një kulturë dhe të mos i shfrytëzojnë jetën private të kundërkandidatëve për të fituar pikë për fitore.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme