“Për katër vjet u harrua rinia, u ulën subvencionet, u injoruan kuadrot e Prishtinës”

“Për katër vjet u harrua rinia, u ulën subvencionet, u injoruan kuadrot e Prishtinës”

17 tetor 2017 23:13

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një takimi me të rinjtë e Organizatës “IRKT”, ka thënë se gjatë katër viteve të shkuara janë ulur subvencionet për rininë dhe organizatat e grave, u harrua rinia, u injoruan kuadrot e Prishtinës në punësim, nuk është realizuar asnjë projekt domethënës, asnjë shkollë, asnjë qendër e mjekësisë familjare, asgjë domethënëse, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

“Për katër vjetët e fundit në Prishtinë nuk është bërë absolutisht asgjë. Nuk është ndërtuar asnjë shkollë, asnjë ambulantë, janë ndalur subvencionet në bujqësi, kanë ikur ndërtimtarët, është harruar rinia. Në Prishtinë është ‘bërë shumë Facebook’, por fare pak punë. Më 22 tetor qytetarët e Prishtinës do t'i çojnë në shtëpi dembelët dhe do t'i zgjedhin ata që kryejnë punë“, ka thënë Abrashi.

“Prioriteti im i parë do të jetë punësimi dhe kjo ka rrjedhur si kërkesë e qytetarëve. Kuadrot e Prishtinës duhet të kenë përparësi në administratë, sepse për katër vjet janë punësuar 500 njerëz, 450 prej të cilëve janë nga komunat tjera. Ne nuk kemi asgjë kundër tyre, por nëse Prishtina ka kuadro për një pozitë të caktuar, realisht do të ketë përparësi ndaj njerëzve të komunave tjera”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij, dy ndërmarrjet publike që do të themelohen, “Prishtina Parkingu” dhe një kompani publike për menaxhimin e tregut dhe Pallatit të Rinisë. Prej 500-1000 banorë të Prishtinës pritet të punësohen në sektorin publik, por numër më i madh do të kyçen në sektorin privat, i cili do të përkrahet nga komuna.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme