Haradinaj garanton qeverisje pa korrupsion në Rahovec

Haradinaj garanton qeverisje pa korrupsion në Rahovec

17 tetor 2017 20:23

Rahoveciani nuk e do dembelin, nuk e do arrogancën dhe të pa përgjegjshmin, por qytetari i Rahovecit e do punëtorin, kryetarin që është i pranishëm sa herë që qytetari të ketë nevojë.

Kështu deklaruan drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) sot në tubimin elektoral me qytetarë të Rahovecit, ku shpalosën programin qeverisës për katër vjetët e ardhshëm.

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se vendit deri më sot i ka munguar një qeverisje e mirë, pasi vendi do të ishte më i zhvilluar, si dhe do të zhdukej papunësia.

Ai garantoi se në qeverisjen e tij nuk do të ketë korrupsion, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën. Haradinaj ka thënë do t’i kryejnë detyrat me seriozitet për vendin, ndryshe do të shkojnë në shtëpi.

Haradinaj iu premtoi rahovecianëve se do ta rrisin buxhetin për bujqësi në nivel komunal dhe nacional.

Ai ka folur edhe për televizionin publik, RTK-në, duke thënë se do t’i dalë zot dhe duhet zgjidhur problemin pronësor.

Kandidati për kryetar të Rahovecit nga AAK, Smajl Latifi tha se të gjithë qytetarëve të Rahovecit në katër vitet e fundit i është mohuar e drejta e komunikimit me komunën. Ai ka përmendur dhe është zotuar për pesë projekte madhore për qytetarët e Rahovecit.

Ai tha se në mandatin e ardhshëm bujkut do t’ia kthejnë dinjitetin, duke bërë buxhetin për bujqësi 1 milion euro në vit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme