Mustafa i bindur se Lipjani do të mbetet i LDK-së

Mustafa i bindur se Lipjani do të mbetet i LDK-së

17 tetor 2017 20:20

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të martën në Lipjan, se të gjithë e kanë kuptuar se fitues i zgjedhjeve në këtë Lipjan është LDK dhe kandidati i saj për kryetar Imri Ahmeti.

“Fitorja e Ahmetit është e sigurt sepse ka dhënë shembullin më të mirë se si qeveriset me transparencë dhe duar të pastra. Jo vetëm simpatizantët e LDK-së, por të gjithë qytetarët e Lipjanit e kanë të qartë se kush do të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Mustafa, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

Kreu i LDK-së ka shtuar se Imri Ahmeti nuk ka konkurrencë dhe kështu do të vazhdojë së paku edhe dy mandate, pasi është shembulli më i mirë se si duhet të kujdeset për qytetarin, për paranë publike, për familjet, rininë, gratë dhe gjithë komunitetin.

“Ju keni fat që e keni një kryetar si Imriu, një kryetar me vizion të qartë, prandaj më 22 tetor fitorja do të jetë e jona dhe nuk do të ketë nevojë të presim asnjë orë më tepër, e po ashtu do t’i kemi edhe asamblistët tanë të vyer. Në emër të LDK-së ju garantoj se do ta mbështesim fuqishëm Imriun, ndërsa me përkrahjen tuaj, ne do t’ia shkurtojmë mandatin qeverisë aktuale, sepse ne jemi fitues në këto zgjedhje, do të dalim të parët dhe këtu nuk kemi asnjë dilemë“, është shprehur Mustafa.

I bindur për fitore është shprehur edhe kandidati për kryetar të Lipjanit, Imri Ahmeti. “Unë jam kandidat i frymës rugoviane, por jam kandidat edhe i atyre që nuk janë në koalicion me ne, pra i të gjithë qytetarëve të Lipjanit. Do ta zhvillojmë edhe më fuqishëm Lipjanin dhe fshatrat tona dhe për këtë u premtoj gjithë qytetarëve të komunës sonë“, ka theksuar Ahmeti.

Ai e ka treguar një ngjarje që i kanë ndodhur në ditët e fundit. “Para pak ditësh u takova me një djalë të një dëshmori dhe dy veteranë. Ata kërkuan të bashkohen me ne, të na përkrahin dhe a e dini çfarë më thanë? ‘Kryetar jemi befasuar që t'i ke mbështetur renovimin dhe ndërtimin e varrezave të dëshmorëve, që ti i ke mbështetur të gjitha akademitë përkujtimore, i ke hequr shpenzimet për ato aktivitete, ke filluar të punësosh invalidë e veteranë të luftës etj”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka potencuar se udhëheqja komunale nën drejtimin e tij nuk ka dalluar as fshat dhe as lagje në baza partiake, por ka punuar me përkushtimin më madh.

“Mbi këtë bazë dhe mbi këtë pikëpamje do të vazhdojmë edhe në mandatin e ri, madje edhe më fuqishëm, me ritëm më dinamik dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të përmirësuar jetën e qytetarit tonë“, ka përfunduar Ahmeti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme