Zgjedhjet lokale

VV: Peja nuk do të qeveriset më nga matrapazët, kryetar i saj do të jetë Bashkim Nurboja

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot tubimin qendror në Pejë, ku, sipas VV-së, u konfirmua mbështetja e fuqishme e qytetarëve të kësaj komune për ndryshimin e madh të 22 tetorit.

Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, nënkryetarja dhe deputetja Fatmire Kollçaku dhe deputeti Albin Kurti, kërkuan nga pejanët mbështetje sa më të madhe për kandidatin për kryetar, Bashkim Nurbojën, dhe kandidatët për Kuvendin Komunal.

Me fjalën e saj tubimin e hapi Mulhaxha-Kollçaku, e cila kërkoi nga qytetarët ta konfirmojnë votën e 11 qershorit, “ku Lëvizja Vetëvendosje ishte subjekti i parë në Pejë”.

Kollçaku theksoi tutje që mbështetja e qytetarëve është duke u rritur dhe “fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje është fitore e qytetarëve”.

Në fund, ajo kërkoi nga pjesëmarrësit mbështetje për kandidatin për kryetar Bashkim Nurboja, dhe listën e VV-së për Kuvendin Komunal në Pejë.

Kryetari Visar Ymeri tha që është i lumtur që qytetarët po mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje në Pejë dhe që kandidati për kryetar të Komunës së Pejës, Bashkim Nurboja, “nga 22 tetori do të jetë kryetari ri me një mendësi të re qeverisese në Pejë”.

“Pejën, këtë lule të Dukagjinit, e besa gjithë Kosovës, e ujit Lumbardhi që gjarpëron në këtë qytet, por e kanë tharë e vyshkur këta gjarpërinj që ia pinë gjakun popullit, e lanë të papunë, e varfëruan, e mjeruan, e nuk lanë gjë pa i bërë. Jo vetëm Lumbardhi, por nuk ka lumë në Kosovë që i lanë të këqijat e këtyre pushtetarëve. Prandaj, është koha që me 22 tetor, sikurse lumi kur del nga shtrati, populli i Pejës të dalë, dhe me votën e tij, rrëmbyeshëm t’i përmbytë këta pushtetarë të etur për krim e korrupsion. Vetëm kështu çelë, vetëm kështu lulëzon lulja Pejë. Duke i vyshkur këta matrapazë”, tha ndër të tjera Ymeri.

Deputeti Albin Kurti tha se jemi këtu që të flasim më qytetarët e mos t’i dëgjojmë më zullumqarët. “Të gjitha gjërat e mira që janë bërë me Shpend Ahmetin në Prishtinë”, tha ai, “do të bëhen edhe me Bashkim Nurbojen në Pejë”.

“Prandaj, me 22 tetor bashkërisht le të votojmë, le të fitojmë dhe le të festojmë”, ftoi Kurti pejanët.

“Kur votoni ndonjë parti tjetër, jeni zgjedhur prej saj. Zgjedhja e Vetëvendosjes është zgjidhje. Votojeni Vetëvendosjen e vërtetojuni si qytetarë të Republikës sepse kush voton për të tjerët tjetërsohet në klient partie. Vota për të tjerët është votë e humbur në të kaluarën. Vota për Vetëvendosjen është votë e fituar për të ardhmen”, ishte porosia e tij në Pejë.

Në fund fjalën e mori kandidati për kryetar të Komunës së Pejës, Bashkim Nurboja. Ai tha se 26 zotimet e Lëvizjes Vetëvendosje janë zgjidhja e vetme për problemet e shumta e të mëdha të qytetarëve të Pejës, për të cilat tha se duan zgjidhje urgjente. Ai u zotua se me qeverisjen e tij Peja do të jetë komunë e zhvilluar.

“Sot, pas 18 viteve të çlirimit, Peja ka mbetur komunë e varfër, pa perspektivë, pa investime, pa zhvillim. Duke votuar me 22 tetor masivisht Lëvizjen Vetëvendosje, ne votojmë masivisht për ta çliruar Pejën një herë e mirë nga duart e interesave e klaneve. Duke votuar masivisht Lëvizjen Vetëvendosje ne masivisht vendosim që Pejën të ua kthejmë qytetareve. Duke votuar masivisht Lëvizjen Vetëvendosje ne masivisht vendosim që arsimit t'i ofrojmë infrastrukturë dhe cilësi, shëndetësisë shërim, bujqësisë zhvillim, kulturës gjallëri, turizmit turistë, Pejës jetë, ndërsa pushtetarëve aktual pushim”, tha veç tjerash Bashkim Nurboja.